Lajme

Rama për Himarën: Goro të ndërpresë mandatin. Vendimi i GJKKO për Belerin, i qartë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me situatën në Himarë. Ai shprehet se kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri do të mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak.

Kryeministri shprehet gjithashtu se ndërkohë që kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, Jorgo Goro, i cili ende po funksionon si kryebashkiak duhet të ndërpresë mandatin.

Edi Rama
Edi Rama

Sipas Ramës vendimi i i GJKKO për mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm. Megjithatë ai mbetet kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, ndërsa Jorgo Goro, nuk ka më legjitimitet për të drejtuar bashkinë.

Postimi i kryeministrit Rama

Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:

  1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
  2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
  3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës. Si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrësesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *