Bulqizë, nxënësit e shkollës në Godvi mësim në temperatura minus 5 gradë! Mësuesja: Fëmijët i kanë duart akull! Prindërit: Të vendosen sobat me dru
Në këto ditë të ftohta janari, ku temperaturat zbresin në -5 gradë celsius, 72 nxënës të shkollës 9 vjeçare “Ismail Jangulli” në Godvi të Bulqizës po e zhvillojnë mësimin në të ftohtë.
Kaldaja me pelet nuk punon, edhe pse shkolla është rikonstruktuar në vitin 2018-të.
Për shkak të të ftohtit, nxënësit thanë për mikrofonin e Report TV se nuk mund të përqendrohen në mësim.
“Kemi shumë ftohtë në orë të mësimit. Kaldajat nuk funksionojnë, nuk përqendrohemi në orë të mësimit. Orët e mësimit kur nuk ka drita bëhen me shkurtim”, tha një nxënëse.
“Edhe kur ndizen kaldajat nuk ngrohin fare”, tregoi një tjetër.
“Kemi shumë ftohtë. Dhe duart me zor i ngrohim”
Prindërit ankohen se fëmijët janë mjekime për ftohje për shkak së shkollë nuk sigurohet ngrohja.
“E shikove dhe vetë. Kalamajtë mërdhinin. Plasën duke ble ilaçe. Jemi ngrit vje, e jemi ngrit sivjet. Kalamajt duke u dridh. Ne kemi kërku, nuk na është përgjigj njeri. Edhe në bashki kemi qenë. Do e ndaloj fëmijën. Nuk kemi terezi me ble ilaçe. Ndize sobën, dru ka plot. Të ketë pastruse për kalamajt”, tha një prind.
“Kam djalin në klasën në dytë. Problemi më i madh është i ngrohjes. Kaldajat nuk funksionojnë. po qe puan kështu më mirë i ndalim fëmijët nga shkolla. Fëmijët vijnë copë-copë. Kaldaja thotë nuk ka kapacitetin e duhur. Ne jemi duke i marrë ilaçe. Dje erdhi djali akull”, tregoi një tjetër.
“I bëjmë thirrje kryetares që të veje dorë në këtë shkollë. Të vendosin soba. Kaldaja ëshët shumë e vogël. Më mirë me drru zjarri”, tregoi një tjetër. Kemi një orë tek porta. Është -4. Drejtori është me fornellë për vete. Edhe portën nuk e hap drejtori. Do shkojmë dhe tek bashkia”.
“Jemi të pa kënaqur. Ka paguar 100 mijë lekë ilaçe.
Prindër e gjyshër thanë se në rast se nuk merren masa nuk do i dërgojnë fëmijët në mësim. Në një moment mes drejtorit të shkollës dhe prindërve pati debat.
Por mungesa e ngrohjes u pranua nga mësuesja e kësaj shkolle, Merita Demiri.
“Unë jam mësuese e kësaj shkolle prej një viti dhe ngrohje nuk ka pasur. Fëmijët i kanë duart akull. Është e pa mundur”, tregoi mësuesja, Merita Demiri.
Përgjegjëse për mungesën e ngrohjes në shkollën 9-vjecare “Ismail Jangulli” është Bashkia e Bulqizës e cila deri në publikimin e kësaj kronike nuk u prononcua për situatën e vështirë që po kalojnë nxënësit e mësuesit.
B.V//ReportTv.al