LajmeTraveller

The Sun: Shqipëria, Maldivet e Europës për vetëm 27 paund! BBC nxjerr dokumentar

Nga vendi që duhet vizituar patjetër, tek perla e fshehur e Mesdheut, Shqipërisë nuk i kanë munguar lëvdatat e mediave të huaja, që lartësojnë bukuritë natyrore të vendit tonë dhe ftojnë turistët t`i shohin ato nga afër.

Por krahasimi i bërë së fundi nga The Sun ishte ndoshta më i paprituri e më i godituri nga të gjithë. Prestigjiozja britanike nuk ngurroi të hiqte paralele mes Shqipërisë dhe njërit prej vendeve më të bukura të botës, të konsideruara si parajsa mbi tokë: Maldivet. Dhe nuk ju kushton thuajse asgjë, theksohej që në titullin e shkrimit- fluturimet janë vetëm 27 paundë.
Plazhet e bukura me rërë të bardhë, ujërat e paprekura dhe kasollet piktoreske prej druri, i kanë kthyer Maldivet në një destinacion ëndrrash – por e gjithë kjo vjen me një çmim të lartë. Pushuesit që duan të shijojnë një pjesë të parajsës, por nuk mund të shpenzojnë 800 paundë në fluturimet e kthimit, do të mbeten padyshim të kënaqur të mësojnë se ka një alternativë më të lirë, shumë më afër shtëpisë, thotë The Sun, që shpjegon më tej vendndodhjen gjeografike të vendit tonë mes Malit të Zi dhe Greqisë, ndërsa kujdeset të theksojë vëmendjen e madhe që ka marrë sidomos vitet e fundit me një fluks të ndjeshëm vizitorësh. Kjo rritje e rrufeshme e popullaritetit i detyrohet sipas gazetës së njohur, ushtrisë së përdoruesve të TikTok-ut dhe influencuesve të mediave sociale që kanë pushuar në Rivierën Shqiptare.

The Sun: Shqipëria, Maldivet e Europës për vetëm 27 paund! BBC nxjerr dokumentar
The Sun: Shqipëria, Maldivet e Europës për vetëm 27 paund! BBC nxjerr dokumentar

Si një nga zonat më të bukura që duhen vizituar patjetër, përmendet Ksamili. Videot e vendpushimit bregdetar – i cili krenohet me ujërat e kristalta dhe atë që një grup udhërrëfyesish turistikë e përshkruajnë si “ndjesinë e të qënit në Bora Bora” – kanë mbledhur më shumë se 60 milionë klikime në TikTok.

Por Shqipëria ka rrëmbyer së fundi edhe vëmendjen e gjigandit mediatik BBC, e cila i ka kushtuar një emision të tëra bukurive të vendit tonë. Ai mban titullin “Mrekullitë e Shqipërisë”, dhe është pjesë e emisioneve më të famshme në botë mbi thesaret e tokës. Spoti i tij publicitar është publikuar tashmë, ndërsa emisioni vetë do të transmetohet në datat 21-22 janar në kanalin BBC WORLD NEWS.