Bota

SHBA dhe aleatët sulmojnë rebelët, Houthi paralajmërojnë: Nisja e luftës kundër Jemenit, marrëzia më e madhe në histori

Ushtria amerikane dhe ajo britanike, me mbështetjen Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, ndërmorën të enjten sulme ndaj objektivave të përdorura nga grupi i rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen, tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

“Këto sulme janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedente nga (grupi) Houthi kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”, tha presidenti Biden përmes një deklarate për shtyp.

Ai tha se sulmet e groupit Houthi kanë rrezikuar personelin amerikan, marinarët civilë dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara, kanë rrezikuar tregtinë dhe kanë kërcënuar lirinë e lundrimit.

“Më shumë se 50 vende janë prekur nga 27 sulme ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare. Ekuipazhet nga më shumë se 20 vende janë kërcënuar ose janë marrë peng në akte piraterie”, shprehet presidenti Biden.

Ai shtoi se “nuk do të hezitojë të urdhërojë masa të mëtejshme” për të mbrojtur njerëzit dhe tregtinë e lirë.

Zyrtarët e Houthi kanë paralajmëruar se SHBA dhe Britania e Madhe do të “paguajnë një çmim të rëndë” për këtë “agresion flagrant”.

Një udhëheqës Houthi, Mohammed al-Bukhaiti, ka kërcënuar se SHBA dhe Britania e Madhe do të “kuptojnë së shpejti” se sulmet në Jemen ishin “marrëzia më e madhe në historinë e tyre”.

“Amerika dhe Britania bënë një gabim në nisjen e luftës kundër Jemenit, sepse ata nuk përfituan nga përvojat e tyre të mëparshme”, shkroi ai në rrjetin social X.

“Çdo individ në këtë botë përballet me dy zgjedhje”, shtoi ai. “Ose të qëndrojmë me viktimat e gjenocidit ose të qëndrojmë me autorët e tij”.

Grupi rebel  ka deklaruar se do të vazhdojë të sulmojë anijet e lidhura me Izraelin në Detin e Kuq.

Forcat amerikane dhe aleatët e saj goditën më shumë se 60 objektiva në 16 lokacione të përdorura nga rebelët Houthi në Jemen, tha Forcat Ajrore të SHBA.

Këto përfshijnë nyjet e komandës dhe kontrollit, depot e municioneve, sistemet e lëshimit, objektet e prodhimit dhe sistemet e radarëve të mbrojtjes ajrore.

Ndrërkohë Rusia ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten në lidhje me sulmet SHBA-MB në Jemen, tha Misioni i Përhershëm Rus në OKB.

Misioni i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass se takimi ishte planifikuar për në lokale 10:00 në Nju Jork.

Të mërkurën, një rezolutë e Këshillit të Sigurimit kërkoi që Houthi-t e Jemenit t’i japin fund menjëherë sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Ministria e Jashtme e Iranit ka dënuar sulmet në Jemen si një “shkelje të qartë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit” dhe një shkelje të ligjeve ndërkombëtare.

Sulmet “nuk do të kenë asnjë rezultat tjetër përveç nxitjes së pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë në rajon”, tha zëdhënësi i ministrisë, Nasser Kanani në një postim në grupin Telegram të ministrisë.

Ndërkohë grupi i armatosur libanez Hezbollah i mbështetur nga Irani dënoi gjithashtu sulmet në Jemen.

“Agresioni amerikan konfirmon edhe një herë se SHBA-të janë partnere të plota në tragjeditë dhe masakrat e kryera nga armiku sionist në Gaza dhe në rajon”, tha grupi i mbështetur nga Irani, sipas Reuters.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *