Kosova

DASH-i konfirmon: Kosova kërkon 246 raketa për 75 milionë dollarë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka pranuar një shitje të mundshme të 246 raketave Javelin në Kosovë, e vlera e tyre pritet të jetë rreth 75 milionë dollarë.

Pentagoni ka njoftuar në uebfaqen e vet se kontraktorët kryesore të kësaj marrëveshjeje janë Javelin Joint Veture nëpërmjet Lockheed Martin dhe Raytheon Missiles and Defense. Kjo do t’i dërgohet Kongresit Amerikan që pritet të çojë tutje kërkesën e institucioneve të Kosovës.

Sipas deklaratës zyrtare, shitja e armëve në Kosovë “mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, që është forcë e rëndësishme për stabilitet politik e ekonomik në Evropë”.

Në deklaratë, Pentagoni ka vlerësuar se Kosova s’do ta ketë të vështirë t’i përshtatë pajisjet për nevojat e forcave të veta.

SHBA-ja po ashtu ka thënë se shitja e këtyre pajisjeve nuk ndryshon bilancin ushtarak në rajon.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci më herët gjatë ditës ka thënë se pret përgjigje pozitive nga SHBA-ja.

“Mund të konfirmoj që është pranuar kërkesa e Republikës së Kosovës për blerjen e sistemeve raketore anti-tank ‘Javelin’. Dihet se kjo kërkesë do të dërgohet nga DASH-i për aprovim në Kongres dhe ne presim përgjigje pozitive në aspektin e aprovimit nga Kongresi, sidomos duke pasur parasysh që SHBA-ja është përkrahëse kryesore e tranzicionit të FSK-së dhe zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV, duke shtuar se në planin e tranzicionit ka qenë i përfshirë edhe sistemi “Javelin”.

Maqedonci ka thënë se Kosova bën blerje të armëve nga SHBA-ja nëpërmjet marrëveshjes direkte shtet-shtet. Ai ka theksuar se shpreson që Kosova të vazhdojë blerje të tjera nga SHBA-ja dhe shtetet partnere. Sipas tij, të gjitha sistemet që blihen për FSK-në janë me standarde të NATO-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *