Kronikë

Plagosja me armë në Tiranë, si nisi konflikti brenda xhamisë së Xhurës! 51-vjeçari fyente dhe bullizonte autorin

Edhe pse falej 5 herë në ditë në xhaminë e Xhurës në kryeqytet, kjo nuk mjaftoi për Saimir Xhafën që konfliktin që kishte me Agim Jazajn ta kalonte me mirëkuptim. Përkundrazi, përplasja mes të dyve e nisur prej kohësh, u mbyll me shkrehjen e armës në ditën e parë të Vitit të Ri.

Burime pranë Komisariatit nr. 4 në Tiranë bëjnë me dije për Report Tv se 57-vjeçari Agim Jazaj, i cili u plagos me plumba pistolete nga Saimir Xhafa, 36 vjeç, prej kohësh e fyente dhe e bullizonte, sidomos gjatë kohës që takoheshin në xhami për të kryer ritet e faljes. Në ditën e ngjarjes, sipas rrëfimeve të dëshmitarëve të pyetur nga grupi hetimor, mes tyre fillimisht ka pasur konflikt brenda ambienteve të xhamisë dhe më pas situata ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit në ambientet e jashtme.

Saimir Xhafa ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar 3 herë në drejtim të Jazajt, duke e lënë të plagosur në bark. Hetuesit akoma nuk e kanë marrë në pyetje 57-vjeçarin e plagosur pasi nuk ka qenë në gjendje për të dëshmuar. Dëshmia e tij do të ndihmonte grupin hetimor për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, autori Saimir Xhafa akoma nuk është lokalizuar nga policia për t’u arrestuar. Në kërkim të tij janë bërë disa kontrolle, por deri tani nuk është gjetur. Burime të policisë bëjnë me dije se dyshohet të jetë i fshehur në kryeqytet, por akoma pa një lokacion të saktë të vendndodhjes. Ngjarja e rëndë ndodhi pas faljes së drekës në datën 1 janar, sapo besimtarët kishin përfunduar dhe po shpërndaheshin.

Saimir Xhafa dhe Agim Jaza

 

M.Q.//ReportTv.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *