Lajme

Mbajtën peng për 3 orë 21-vjeçarin, bien në pranga 3 persona. Mes tyre një polic

Një sherr për motive të dobëta, i ndodhur dy ditë më parë, u bë shkak për dhunë e pengmarrje në Fier. Sipas njoftimit të policisë bëhet e ditur se pre ra një 21-vjeçar, i cili u mbajt me forcë nga 3 persona, për rreth 3 orë.

Lidhur me këtë ngjarje janë vënë në pranga 3 persona, 2 autorët si dhe një polic i cili kishte dijeni për ngjarjen, por nuk ka njoftuar strukturat e policisë.

Policia njofton gjithashtu se u sekuestrua automjeti me të cilën autorët morën me forcë 21-vjeçarin si edhe automjeti me të cilin udhëtonte 21-vjeçari, të cilin autorët e kishin marrë dhe fshehur në fshatin Ferras.

Foto Furgoni i Policisë Shqiptare.
Foto Furgoni i Policisë Shqiptare.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas njoftimit të marrë nga një shtetas se disa shtetas i kanë marrë me forcë vëllain dhe automjetin me të cilin ai po udhëtonte, organizuan punën dhe falë veprimeve të  shpejta operacionale hetimore finalizuan operacionin policor të koduar “Ferras”, gjatë të cilit u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe arrestimi i dy prej autorëve, shtetasve K. B., 26 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, banues në Fier, si edhe po punojnë për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, shtetasit A. Z., 32 vjeç, banues në Mallakastër, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja me dhunë” të kryera në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ngjarja ka ndodhur në fshatin Ferras, Fier, ku autorët, për shkak të një debati që kanë pasur para 2 ditësh, për motive të dobëta, me kushëririn e shtetasit H. T., 21 vjeç, kanë ndaluar automjetin me të cilin ky shtetas po udhëtonte, e kanë dëmtuar atë dhe e kanë marrë me forcë për rreth 3 orë.

Gjithashtu, nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se punonjësi i policisë G. Y., 31 vjeç, banues në Fier, me detyrë trup shërbimi në seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ka pasur dijeni për ngjarjen por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë, për të cilin u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

U sekuestrua automjeti me të cilën autorët morën me forcë 21-vjeçarin si edhe automjeti me të cilin udhëtonte 21-vjeçari, të cilin autorët e kishin marrë dhe fshehur në fshatin Ferras.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *