Lajme

‘E hëna e zezë’ në Tiranë/ Tre viktima në dy aksidente

Dy aksidente me tre viktima janë shënuar në kryeqytet mëngjesin dhe paraditen e kësaj të hënë.

I pari u shënua në “rrugën e Elbasanit” rreth orës 06:10, kur një automjet përplasi për vdekje një këmbësore.

“Automjeti me drejtues shtetasin P. Xh., ka aksidentuar shtetasen A. R., 54 vjeçe, e cila si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njoftoi policia.

Disa orë më vonë, një tjetër aksident me bilanc edhe më të rëndë është shënuar në afërsi të kryeqytetit. Pranë vendit të quajtur “Shkalla e Tujanit” dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Më pas, një nga mjetet ra në humnerë dhe dy personat në bord humbën jetën. Ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër ka mbetur i plagosur. Viktimat janë ende të paidentifikuar.

“Në Rrugën e Arbrit, afër Shkallës së Tujanit, janë përplasur 2 automjete. Si pasojë e përplasjes, njëri nga automjetet ka rënë nga lartësia në humnerë dhe 2 shtetasit që kanë qenë në këtë automjet, kanë humbur jetën. Drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi K.R., ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe për identifikimin e 2 shtetasve që kanë humbur jetën”, njoftoi policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *