Bilanc tërmeti në Turqi dhe Siri, mbi 24 mijë persona nxirren të pajetë nga rrënojat e ndërtesave
Tragjedia në Turqi dhe në Siri vijon të marrë përmasa akoma më të mëdha, teksa raportimi i sotëm është për 24,178, ndërsa numri i të plagosurve ka shkuar në 80,052.
Në Turqi janë raportuar 20,665, teksa në Siri janë nxjerrë 3,513 të vdekur nga rrënojat. Në 10 provinca në Turqi vijojnë operacionet, megjithëse shpresat për të gjallë sa vijnë e shuhen.
Por mrekullitë nuk mund të mungojnë. Një djalë 16-vjeçar u nxor nga rrënojat e banesës së tij në qytetin turk të Kahramanmaras, 119 orë pasi tërmeti shkatërrues goditi vendin.
Në pamjet e dhimbshme të publikuara nga televizionet turke, Kamil Can u nxor nga rrënojat me një buzëqeshje në fytyrë, teksa dukej se ishte në gjendje të mirë.
Edhe ditën e sotme ka shpresa për të gjetur të gjallë, ndërkohë që gjithçka mbetet e komplikuar për shkak të sipërfaqes së madhe të përfshirë në këtë tragjedi me bilanc lufte.