Berisha-demokratëve: S’kam folur prej gjendjes gripale, nuk do e bëj më vaksinën e imponuar nga pushteti
Gjatë fjalës së tij drejtuar demokratëve, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk ka folur këto ditë që ka qenë në arrest shtëpie, për shkak të gjendjes së tij gripale. Ai madje ka theksuar se nuk do e bëjë më kurrë vaksinën e gripit e cila sipas tij është imponuar nga pushteti.
Nuk kam komunikuar për shkak të gjendjes gripale, nuk do bëj më vaksinën e imponuar nga pushteti! Kjo është betejë hyjnore Një përshëndetje të zjarrtë ju këtu që keni ardhur këtu në këtë protestë, por përshëndetje demokrateve dhe demokratëve kudo që janë sot. Përshëndetje popullit opozitar nga zemra uroj sukses në betejën tonë pa kthim, në betejën tonë të fitores. O sot o kurrë! Në këmbë shqiptarë. Miqtë e mi, këto ditë nuk kemi pasur një komunikim zanor me ju. Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj. Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë..
Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do e bëj më ndonjëherë. Miqtë e mi, Edi Rama në traditën e tij më të shëmtuar, në traditën e të atit të tij xhelat, i cili si zëdhënës i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, firmoste varjen në litar të fjalës së lirë të poetit të pavdekshëm Havzi Nela, urdhëroi mercenarët e tij t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju. Por unë do u rrëfej ju një gjë. Unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy Kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë. Ajo është hyjnore, është tokësore. Ne i bindemi asaj, njëlloj si Zotit dhe ndaj u garantoj ju se Sali Berisha do pranojë dhe do bëjë vetëm atë që është në interesin tuaj, në interesin e demokratëve, në interesin e pluralizmit, në interesin e Shqipërisë”, deklaroi Berisha nga dritarja e banesës së tij.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka vendosur urdhër Berishës që të komunikojë vetëm me bashkëjetuesit e tij.
“Në orën 12:30 të datës 30 Dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur të ashpërsojë masën e sigurimit personal për Sali Berishën. Gjyqtarja Irena Gjoka ka pranuar kërkesën e SPAK dhe vendosi masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore dhe ndalim të komunikimit me persona të tjerë”, thuhej në vendimin e GJKKO-së më 30 Dhjetor 2023.
Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie.
/tvklan.al