Babai i Granit Plavës: Nëse ai e ka vrarë Liridonën, është i vdekur për mua
Babai i Granit Plavës, personit që dyshohet se ka kryer aktin e vrasjes së Liridona Ademajt, në një intervistë për media ka thënë se nëse djali i tij ka kryer një akt të tillë, atëherë “është i vdekur për të”
Granit Plava është arrestuar nën dyshimin për vrasjen e Liridona Ademaj, një javë më parë në Prishtinë.
Vrasja e cila dyshohet se është kryer nga Granit Plava, gjithashtu dyshohet se është planifikuar nga Naim Murseli, bashkëshorti i së ndjerës.
Ndërsa, Mursel Plava, babai i të dyshuarit Granit Plava, ka rrëfyer për “Indeksonline” se si ndihet ai pasi djali i tij po akuzohet për vrasje.
Ai është kthyer nga Kroacia dy ditë më parë dhe thotë se nuk mund ta besojë atë që ka ndodhur me djalin e tij.
Babai i tij shprehet me lot në sy dhe pohon se nëse Graniti e ka kryer vrasjen, ai është i vdekur për të.
Gjithashtu, Murseli thotë se ende nuk është në gjendje ta takojë djalin e tij Granitin, i cili po akuzohet për këtë vrasje.
“Se kam taku, njëherë s’dua ta takoj. Dua të qetësohem s’jam në gjendje ta takojë njëherë. Kijamet është. Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, ai është i vdekur për mua. Ai është i vdekur përjetë për mua”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në Prishtinë, në një rast të grabitjes që dyshohet të ketë qenë i orkestruar.
Lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, përfshirë edhe bashkëshorti i së ndjerës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji ndaj tre të dyshuarve Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kreshnik Kokallës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Granit Plavës për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Kreshnik Kokallës për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Liridona Ademaj u vra në Bërrnicë të Prishtinës më 29 nëntor. Bashkëshorti i saj, Naim Murseli, dyshohet se ka organizuar vrasjen e saj.
Në njoftimin e saj, gjykata ka dhënë detaje se si Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e Liridonës së ndjerë.
Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale.
- “E pajisi me armë”, detaje rreth planifikimit të Naim Murselit për vrasjen e Liridonës
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën Liridonën.
Gjykata thekson se për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes.
Ai i kishte premtuar të pandehurit Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.