ATK ishte urdhëruar nga përmbaruesi privat për ekzekutimin me detyrim të rreth 3 milionë euro në favor të Pulajt
Zyrtarët e ATK-së dhe biznesmeni nga Prizreni, Feim Pulaj, të arrestuar gjatë aksionit të së martës nga Krimet Ekonomike, i kanë shpëtuar paraburgimit, pasi Gjykata refuzoi caktimin e kësaj mase sigurie. Të njëjtit dyshohen për vepra penale të mashtrimit, shmangie nga tatimi dhe prezantim të dokumenteve të rrejshme. Gazeta Sinjali ka siguruar dosjen e Prokurorisë dhe detajet për hetimin që ka nisur para disa javësh.
Biznesmeni Pulaj nga Prizreni, i cili ka në pronësi tri biznese, dyshohet se ka kryer veprat penale të shmangies nga tatimi dhe prezantimit të dokumenteve të rrejshme tatimore në rastin në të cilin po dyshohet se tentoi të përfitojë nga shteti rreth 3 milionë euro.
Kurse 13 zyrtarët e ATK-së me pozita të ndryshme po dyshohen se kanë pranuar aplikimin e biznesmenit Pulaj për një rimburësim për TVSH, por rastin nuk e kishin kthyer rastin mbrapa edhe pse kishin marrë një kërkesë nga një departament brenda ATK-së për mosrimbursim të kësaj vlere për shkak se faturat ishin të dyshimta si fiktive.
Pra, këta zyrtarë tatimorë kanë pranuar kërkesën, por kjo sërish nuk u kishte hyrë në punë dhe dyshohet se kanë vazhduar veprimet e kundërligjshme.
Si rezultat i këtyre veprimeve, të njëjtit i kanë njohur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro.
Sinjali mëson se për këtë ekziston urdhri i Përmbaruesit Privat, Bardh Tasholli, për ekzekutimin me detyrim të rimbursimit nga buxheti i Kosovës në favor të Pulajt, me kamata prej 8%.
Por kjo procedurë ishte pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të dyshuarve të përfshirë në këtë skemë të mashtrimit financiar.
Ndryshe, Sinjali dje ka publikuar detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorisë për biznesmenët Pulaj, Besim Batatina, Bedri Batatina dhe zyrtarët e ATK-së Nesim Bajrami, Masar Zejnullahu, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paçarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama, Xhemail Hertica, Lisjetë Krasniqi, që po hetohen nga Prokurori i Shtetit.