Braktisi Në Francë, Djalin E Tij 9 Vjeç Me Qëllim Që Të Kërkonte Azil, Procedohet Penalisht 50-Vjeçari
Procedohet penalisht një 50-vjeçar, pasi braktisi në Francë, djalin e tij të mitur (9 vjeç), me qëllim që të kërkonte azil në këtë shtet.
Specialistët e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në vijim të punës për parandalimin dhe evidentimin e rasteve të braktisjes së fëmijëve apo të familjarëve të mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin, kanë intensifikuar punën për kontrollin e imtësishëm të dokumentacionit për të udhëtuar dhe intervistimet për arsyen dhe qëllimin e udhëtimit jashtë vendit apo të atyre që kthehen në Shqipëri, duke braktisur fëmijët/ familjarët e mitur, me qëllim kërkimin e azilit.
Si rezultat, është evidentuar një rast i braktisjes së fëmijëve të mitur, në vendet e BE-së, me qëllim për të kërkuar azil. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. F., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Ky shtetas, më datë 22.01.2020, ka kaluar kufirin në PKK Muriqan, bashkë me djalin e tij të mitur, me autorizimin përkatës nga nëna e djalit, dhe më datë 09.01.2023, është kthyer në Shqipëri, pa djalin e tyre. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e ka braktisur djalin e tij 9 vjeç, në Francë, me qëllim azilkërkimin.