AKTUALITETLajme

Prej 6 muajsh në arrati, Arben Ahmetaj humb sot mandatin e deputetit. Kush janë dy socialistët që mund ta zëvendësojnë

Grupi parlamentar i PS-së do të ndryshojë përbërjen e tij. Arben Ahmetaj pritet të humbasë mandatin e deputetit, të fituar në zgjedhjet e 25 prillit 2021, pasi në kushtet e arratisë, nuk është paraqitur në Kuvend në 6 muajt e fundit.

Seanca e 6 korrikut ishte e fundit kur Ahmetaj ka shkelur në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas përcaktimeve kushtetuese e shtuna e sotme, është dita e fundit që Ahmetaj mund të gëzojë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas pritet shpallja e pavlefshmërisë së mandatit të tij. Arsyeja e përfundimit të mandatit gjendet tek Neni 71 i Kushtetutës, ku në gërmën “d” përcaktohet se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”.

Më pas Kuvendi do të duhet të shpallë vakancën e krijuar nga humbja e mandatit të deputetit nga Arben Ahmetaj dhe të njoftojë zyrtarisht KQZ-në për plotësimin. Kodi Zgjedhor përcakton se KQZ plotëson vakancën e krijuar me kandidatin e radhës në listën shumë emërore të të njëjtin subjekt politik për të njëjtën zonë zgjedhore. Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën. Në rast se Bici do të refuzojë marrjen e mandatit, sikundër përflitet, atëherë KQZ do të duhet të njoftojë kandidatin e radhës, Plarent Ndreca.

Kuvendi votoi më 14 korrik dhënien e autorizimit për SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj pasi mbi të rëndonin akuzat për korrupsion në çështjen e incereratorëve. Por SPAK pasi mori autorizimin nuk arriti të ndalojë deputetin Ahmetaj, i cili siç u bë publike ishte larguar nga Shqipëria. SPAK veproi menjëherë dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar.