Luan Baçi: Viti 2024 e gjeti Shqipërinë rreshtuar krah autokracive, por kjo nuk do ndodhë kurrë
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, e ka nisur ditën e dytë të vitit me një deklaratë për mediat në lidhje me situatën politike në vend.
Baçi u shpreh se viti 2024 e gjeti Shqipërinë të rreshtuar krah autokratëve, ndërsa shtoi se këta të fundit duan të vendosin taksokracinë duke asgjësuar demokracinë.
Por në deklaratën e tij, ai thotë se kjo nuk do ndodhë kurrë.
Tani ose jemi në autokraci, ose nuk jemi.
Deklarata e Baçit
Viti 2024 e gjeti Shqipërinë, nga një vend anëtar të NATO-s, aspirant për anëtar të Bashkimit Evropian, në një vend të rreshtuar ne krah të autokracive më të rrezikshme të globit.
– Me liderin e opozitës te burgosur pa ligj e Kushtetutë,
– Me një opozitë nën një sulm frontal, të paprecedent, të zhveshur nga çdo e drejtë kushtetuese në parlament;
– Me një qeveri që ka vendosur të emërojë vetë edhe opozitën, duke asgjësuar debatin politik në parlament;
– Me një sistem drejtësi e të kapur politikisht, që i shërben vetëm interesave imediate politike të pushtetit. Të një pushteti të kriminalizuar deri në palcë, partnerët e vetëm të qëndrueshëm të të cilit janë vetëm organizatat kriminale kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me një qeveri tashmë të damkosur si më e korruptuara në glob, e kapur publikisht në afera multimilionëshe për inceneratorë që nuk ekzistojnë, rrugë ‘të arta’ që nuk përfundojnë kurrë, PPP e koncesione me ‘investitorë strategjikë’ që po shqyejmë llokma, llokma pasuritë e Shqipërisë.
Me një qeveri që shpenzon miliarda të taksapaguesve më të varfër të Evropës, tek klientët e saj, e jo në arsim, jo në rroga e pensione, jo për të sotmen e të ardhmen e Shqipërisë, por për xhepat e barqet e tyre të pangopur e të pangopshëm Viti 2023 u mbyll me seanca parlamentare ‘4 minutëshe’, ku deputetë memecë të fshehur pas kartonëve, votuan për të shpenzuar buxhetin e shtetit sipas interesit të partisë e të patronazhistëve të saj, jo sipas nevojave të fëmijëve të Shqipërisë.
Duke nisur nga sot, cilido profesionist i lirë do e ketë edhe më të vështirë të përballet me jetën, pasi do ti duhet të paguajë edhe taksat më të reja që miratuan për 4 minuta në seancën e fundit të parlamentit.
DUAN TË VENDOSIN TAKSOKRACINË duke asgjësuar demokracinë.
Prandaj u duhet një opozitë e emërua.
Prandaj u duhet një opozitë me liderin nën arrest.
Prandaj u duhet një opozitë e zhveshur nga e drejta kushtetuese për të hetuar dhe vënë para përgjegjësisë pushtetin e bashkëshortëve strategjikë, thjeshtrave që bëjnë miliarda me fonde shtetërore që firmosen fap, fap fap nga ‘njerku i artë’
Partia Demokratike, deputetët e saj, strukturat që nga Kryetari e deri tek anëtari më i ri, janë garancia se kjo nuk do të ndodhë kurrë.
Vëllezër e motra që vuani njësoj këtë bandidokraci, pavarësisht bindjeve politike:
Vetëm bashkë mund t’ia dalim!
Dhe të bashkuar do ia dalim.