Lajme

Zjarr në qendrën tregtare në Lushnje, të paktën 20 persona dërgohen në spital

Një qendër tregtare në Lushnje është përfshirë nga flakët. Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa raporton se disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda qendrës tregtare.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se nga tubat e ajrimit janë djegur kabujt elektrik, gjë që ka shkaktuar zjarrin. Nga ngjarja, të 20 persona mësohet se janë dërguar në spital për shkak të asfiksimit nga tymi.

Nga pamjet që vijnë nga vendngjarja, shihen momentet kur disa nga qytetarët e bllokuar ndihmohen që të dalin nga dritarja.

Ambulanca dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

https://youtu.be/-8TRh_BinSQ

Ka thuajse 3 orë që godina e një qendre tregtare në Lushnje po përfshihet nga flakët dhe tymi i zi. Gazetarja e Klan News Anila Sefa raporton nga vendngjarja situatën e jashtëzakonshme, ku forcat zjarrfikëse dhe të policisë po bëjnë gjithçka munden për të evakuuar njerëzit që janë bllokuar brenda.

“Unë kam parë policët e zjarrfikëses dhe ata të rendit, banorë të ndryshëm që u ka rënë të fikët për shkak të tymit të madh, edhe unë përdor maskë sepse era e sjell tymin në vende të ndryshme.”

Sipas Sefës, numri i njerëzve në momentin që ka shpërthyer zjarri ka qenë tejet i lartë, pasi po festonin ditën e Krishtlindjeve. Madje sipas gazetares, në një nga katet mendohet të kenë qenë prezentë 300 persona.

“Nuk u punua paralelisht sepse ka pasur numër të lartë, 3 kate janë biznese dhe një kat bar kafe. Kanë qenë të paktën 300 persona që kanë festuar në kohë dreke Krishtlindjet. Ka nisur zjarri në katin e katërt dhe kjo ka bërë bllokimin e njerëzve. Mes kaosit, një derë e vetme që të dalin 300 persona. Fillimisht nuk u kuptua ku ishte qendra ku ishte zjarri, situata agravoi pasi tymi u fut në çdo hyrje e çdo kat.”

E çuditshme në këtë rast është që nuk dihet numri i banorëve që jetojnë në këtë pallat.

Siç raporton Sefa, forcat “Renea” do tentojnë të ngjiten në tarracë për të shpëtuar njerëzit e ngecur brenda.

Vijon të jetë e rënduar situata në Lushnje ku një qendër tregtare u përfshi nga flakët këtë të hënë. Në katet e sipërme të saj ndodhen edhe apartamente banimi, çka ka bërë që disa banorë të mbeten të bllokuar.

Gazetarja Anila Sefa që raporton nga vendi i ngjarjes thotë se nuk dihet ende numri i saktë i atyre që kanë mbetur brenda. Një pjesë e tyre kanë dalë, por shqetësuese mbetet situata me dy djem 18-vjeçarë që kanë mbetur të bllokuar në katin e shtatë. Për ta është nisur një operacion për t’i shpëtuar.

Ajo që e bën problematike janë vetëm dy djem 18-vjeçarë që kanë mbetur në katin e shtatë. Më është raportuar nga ministri Taulant Balla, i cili thotë se po bëjmë një operacion vetëm për shpëtimin e tyre pasi për momentin ata janë më të rrezikuar dhe vijojnë të qëndrojnë brenda. Zjarri është aktiv në zonën ku ndodhen. Ata kanë telefonuar të afërmit e tyre dhe kanë kërkuar ndihmën dhe kanë caktuar pikërisht zonën ku ata ndodhen, ndaj edhe është kërkuar që në këto momente të ndërhyhet për të shpëtuar dy 18-vjeçarët”, raportoi Sefa.

Madje atje kanë mbërritur edhe forcat RENEA.

“Erdhën forcat RENEA, ja shikojini me mjete të posaçme. Po kërkojnë të futen në katet e larta nga ana e jashtme nëse do të depërtojnë brenda”, raportoi Sefa.

Gazetarja Sefa raportoi se shumë banorë kanë thyer xhamat e apartamenteve të tyre për të marrë ajër.

“Apartamentet nëse nuk është thyer kanë qenë vetë njerëzit brenda që kanë thyer xhamat e dritareve për të marrë ajër pasi të zbrisje ishte e pamundur”, tha gazetarja.

Ministri Taulant Balla ka kërkuar një helikopter që të ndërhyjë nga lart për shuarjen e zjarrit.

“Atje ka shkuar edhe një helikopter që është kërkuar nga vetë ministri i Brendshëm për të hyrë në katet e sipërme, ku është e pamundur ndërhyrja e mjeteve të zjarrfikësve”, theksoi ajo.

Sa i përket personave që janë dërguar në spital janë tashmë ndodhen në gjendje të stabilizuar në urgjencë.

“Më bëjnë me dije që 15 persona që ishin të bllokuar në katet e fundit, pjesa më e madhe e tyre tani kanë dalë. Gjatë gjithë kohës kanë qëndruar në dritare me peshqirë të njomë, për t’i bërë ballë të paktën asfiksimit nga tymi toksik që për dy orë vazhdon të dalë nga apartamentet që tashmë janë përfshirë nga tymi dhe nga flaka. Shumë persona të asfiksuar që janë nisur më herët për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Lushnjes, janë tashmë në gjendje të mirë shëndetësore, ata janë stabilizuar”, raportoi Sefa.

Nuk dihet se sa persona kanë mbetur të bllokuar brenda qendrës tregtare, por në momentin që ka rënë zjarr kanë qenë 600 deri në 700 persona prezentë”, kështu ka raportuar gazetarja e Klan News, Anila Sefa nga Lushnja. Gjatë raportimit të Sefës, i është kërkuar që të largohet pasi si pasojë e flakëve po thyhen xhamat e qendrës tregtare.

Më tepër detaje nga situata e shkaktuar nga zjarri i rënë në qendrën tregtare në Lushnje, i ka dhënë Anila Sefa për Klan News.

Raportimi i gazetares Anila Sefa:

Pas 1 ore ka përfshirë që 12 katet e qendrës tregtare. Ka edhe disa kate qendra banimi, 3 kate janë biznese dhe 1 kat i nëndheshëm njësi tregtare. Dhjetra persona janë shoqëruar me ambulancë për të marrë ndihmën mjekësore. Në këto momente po na kërkojnë të largohemi pasi në këto momente si pasojë e nxehtësisë po plasen xhamat dhe rrezikojmë të dëmtohemi nga rënia e copave të xhamit. Vazhdon të dalë tym i zi që ka përfshirë të gjithë qytetin e Lushnjës. Këtu është e pamundur të qëndrosh, të thithësh një ajër toksik. 2 zjarrfikëse janë prezente. Nuk ka nisur akoma fikja e zjarrit. Akoma nuk duken flakët. E gjithë godina është përfshirë nga tymi i zi. 7 katet sipër të apartamentit kanë vetëm një dalje dhe po të dalin nga ajo derë është e pamundur se mund të asfiksohen nga tymi, ndaj dhe po dalin nga dritaret. Shumë persona, të cilët kanë jo vetëm apartamentet, por edhe bizneset vazhdojnë të qëndrojnë poshtë kësaj qendre tregatre të shokur dhe të tmerruar. Në momentin që ka rënë zjarr mund të ketë pasur 600 deri në 700 persona. Ka pasur numër të shtuar personash në këtë qendër. Vazhdojnë të kërkohen njerëzit në apartamente. Sa është numri i personave që kanë mbetur brenda, askush nuk e di. Tashmë kanë nisur të thyhen xhamat e qendrës tregtare. Qytetarët të tmerruar po shohin atë që po ndodh. Ka edhe pallate të ndërtuar para viteve 90 që janë shumë pranë.

 

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 14:40, njoftohemi se në Qendrën Tregtare “Metropol” në qytetin e Lushnjës ka rënë zjarr.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar në vendngjarje dhe po marin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qëndrën tregtare.

Janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbeshtetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.

Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Eshtë ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.