Lajme

Video -Trishtuese / Familja që jeton në një kasolle me llamarina e plastmas

Skamje, mjerim ndoshta nuk janë fjalët e duhura për të përshkruar gjendjen në të cilën jeton familja Tralo, pranë majës së Golikut në fshatin Peshtan të Bashkisë së Tepelenës. Ky objekt është streha e familjes ku kalojnë natën dhe mbrohen nga shiu dhe i ftohti dy fëmijët e mitur dhe prindërit e tyre. Vajtja në shkollë dhe në kopsht për fëmijët janë momentet më të bukura, edhe pse detyrohen të kalojnë përmes shtigjeve me baltë.

Por si ka përfunduar kjo familje në këtë gjendje… Kryefamiljari, Ervini tregon pamundësinë për të pasur një strehë më të mirë si dhe vështirësitë për t’u siguruar qoftë edhe bukën fëmijëve të tij.

“4-5 muaj që rrimë këtu. Isha në një shtëpi këtu me qira. Qira nuk merrte, pastaj mi mori. Si mos më keq është, ftohtë, shi. Nga e keqja fare, se në qytet nuk rrimë dot, qiranë nuk e paguajmë dot, kalamajtë nuk i ushqejmë dot në qytet, të paguash qiranë”, tregon ai.

“Me lule, kam nja 20 dhi, shesim ndonjë kec. Nuk del fare, me sakrifica. Edhe rroba më shumë na kanë dhënë njerëzit. Ka ditë që rrinë edhe pa ngrënë fare, po pati ndonjë çik bukë thatë, mirë, po s’pati…”.

Të njëjtat gjëra pohon edhe bashkëshortja e tij, por më shkurt. “Shumë keq është”.

Nëse për shumicën, ky muaj është pagëzuar si muaji i festave, sfida e kësaj familje edhe këtë muaj, është të sigurojë bukën dhe të përpiqen t’i shpëtojnë si të munden të ftohtit mes llamarinave të mbuluara me plastmas.

Dy fëmijët e familjes edhe pse në moshë të vogël, kanë kërkesa të paimagjinueshme për bashkëmoshatarët e tyre për festat e fundvitit. “Do të doja televizor, drita, shtëpi”, thotë djali dhe vajza e familjes Tralos.

Kanë trokitur edhe në dyert e Bashkisë së Tepelenës, por deri më tani nuk u është dhënë asnjë zgjidhje, qoftë edhe provizore për periudhën e dimrit. “Na kanë thënë që do të bëjnë diçka, të shohim”, thotë Tralo.

E ndërsa grupi i xhirimit largohet duke i lënë në skamjen e tyre, familja niset e gjitha për të mbushur ujë, për të pirë dhe për të larë sytë e duart pasi për më shumë është luks…