Rama takim me përfaqësues të biznesit fason: Do ngremë akademi profesionale
Kreu i qeverisë Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit fason.
Lajmin e ka bërë me dije vetë kreu i qeverisë Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, ku thotë se ky biznes do të ketë garanci sovrane për investime në teknologji dhe inovacion.
Gjithashtu ai shtoi se do të ketë një skemë financimi për ngritjen e një akademie profesionale për manifakturën dhe trajnimet përkatëse në kompani.
“Në “Shtëpinë e Biznesit” me përfaqësuesit e shoqatës së industrisë me material porositësi (fason), për të diskutuar mbi nevojat për transfomimin e mëtejshëm të sektorit, në shembullin e kompanive lider në sektor; masat mbështetëse që do të ndërmarrim për kapërcimin e sfidave të zhvillimit; domosdoshmërinë e të kuptuarit nga të gjithë aktorët e sektorit të faktit se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar prej disa kohësh tanimë dhe ky fakt përballet vetëm me investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht.
Ndërhyrjet e dakordësuara do të stimulojnë pikërisht transformimin dhe investimet në teknologji e inovacion, duke mbështetur me shpejtësi nevojën për likuiditet, nevojën për kreditim të lehtësuar, si edhe për burime njerëzore të kualifikuara:
Rimbursim i shpejtë i TVSH përmes një kanali të dedikuar për kompanitë e kësaj industrie
Ofrimi i një mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, sipas kontratave me porositësit që kompanitë duhet të fusin në prodhim.
Një garanci sovrane për investime në teknologji dhe inovacion.
Një skemë financimi për ngritjen e një akademie profesionale për manifakturën dhe trajnimet përkatëse në kompani.
Qeveria do të rrisë angazhimin e saj për ta mbështetur më tej këtë sektor që të mbyllë vetë ciklet e prodhimit, si dhe të bëhet më produktiv e më konkurrues duke fuqizuar markën “Made in Albania”-tha ai.