AKTUALITET

Profili fals në TikTok i Bedrie Lokës, Blendi Fevziu: Një fenomen bastard dhe perversiteti

Vetëvrasja e 41-vjeçares Bedrie Loka në Durrës ka shkaktuar reagim të madh në publik për faktin se në fillim u dyshua që ngjarja të kishte ndodhur si pasojë e një profili denigrues që i kishin hapur të ndjerës në TikTok.

Së fundmi policia i ka fokusuar hetimet në pistën e dhunës që ka ushtruar bashkëshorti i saj, Xhemal Loka.

Por nuk është e pavërtetë as rasti i profilit fals në TikTok që të ndjerës ja kishin hapur persona të tjerë dhe përdornin gjuhë denigruese ndaj saj. Për këtë, 41-vjeçarja kishte bërë edhe një kallëzim në polici 1 vit më parë.

Drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu, e ka dënuar këtë keqpërdorim që po bëhet në rrjetet sociale me profilet e personave të tjerë. Ai thotë se ky është fenomen perversiteti dhe që dëmton shoqërinë.

“Nuk është e pavërtetë dhe historia e një profili fals në TikTok që e kishte shqetësuar gruan. Një vit e pak më parë ajo ishte drejtuar në Policinë e Durrësit për të gjetur një zgjidhje për këtë. Ky është një prej fenomeneve të tjera të shoqërisë shqiptare, fenomen modern, më bastard se ato të 100 viteve më parë, është një prej fenomeneve që nuk i shkon asnjë shoqërie në botë dhe nuk e di pse shqiptarët janë kaq të dashuruar me këtë lloj perversiteti, me këtë lloj ndyrësie apo me këtë lloji bullizimi. Profile të tilla që mund të qarkullojnë normal, që një personi publik nuk i bëjnë përshtypje, por një gruaje 41-vjeçare që jeton në një fshat të Sukthit që mund t’ja shohin fëmijët, bashkëshorti, kushërinjtë, familja, fisi e shumë të tjerë, padyshim që i shkakton një dramë të madhe. Për këtë arsye rrjetet sociale sa janë një mjet komunikimi, po aq janë një armë vrastare që mund të shkatërrojë këdo”, u shpreh Blendi Fevziu.

/tvklan.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *