Mbështetësit I Shkojnë Poshtë Pallatit, Berisha I Përshëndet Nga Dritarja
Nga 30 dhjetori i vitit të kaluar, Sali Berisha ndodhet zyrtarisht në arrest shtëpie. 1 ditë para ndërrimit të viteve ish-kryeministrit iu dha masa “arrest shtëpie” si dhe iu caktua të komunikojë vetëm me bashkëshorten e tij, Lirie Berisha dhe me asnjë person tjetër.
Mirëpo, këto masa nuk i kanë ndaluar demokratët që t’i tregojnë mbështetjen e tyre Berishës.
Mëngjesin e kësaj të marte me dhjetra demokratë janë mbledhur poshtë banesës së ish-kryeministrit Berisha në rrugën “Mustafa Matohiti.”
Kujtojmë që Sali Berisha është në hetim për korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë, vepër penale e kryer në bashkëpunim.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.
Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhej ndër të tjera në vendimin e GJKKO-së më 30 dhjetor 2023