Erla Mëhilli, Moderatorja e Vitit. Gazeta “Koha Jonë” ndan çmimet për vitin 2023
Gazeta “Koha jonë”, media e parë e pavarur në vend ka ndarë mbrëmjen e së shtunës çmimet e vitit për personalitet në fushën e gazetarisë dhe jetës publike.
Ceremonia e çmimeve të vitit, një traditë mbi tre dekada e kësaj media, bëri bashkë drejtues të lartë të shtetit, gazetarë e drejtues të medias, si dhe njerëz të artit dhe kulturës.
Votat e publikut në sondazhin e gazetës dhe bordi i ndarjes së çmimeve vlerësoi me çmimin si moderatorja më e mirë, drejtuesen e emisionit “Now” në Euronews Albania, Erla Mëhilli.
“Sot gazeta e parë e pavarur në Shqipëri, ‘Koha Jonë’ dhe botuesi i saj Nikoll Lesi zhvilluan ceremoninë e ndarjes së çmimeve për vitin 2023 dhe mua më nderuan me çmimin moderatorja e vitit për vitin 2023. ‘Koha Jonë’ përfaqëson shumë figura të medias që i kanë dhënë medias dhe publikut dhe mund të them se ky çmim më rëndon modestisht. Është një çmim për të cilin ndjehem e vlerësuar dhe motivuar për të bërë më të mirën time”, tha moderatoja Erla Mëhilli.
Ndërsa themeluesi dhe drejtuesi i gazetës ‘Koha Jonë’, Nikollë Lesi foli për vështirësitë e medias në këto tri dekada dhe kontributin që ‘Koha Jonë’ ka dhënë me një sërë brezash të gazetarëve që kanë punuar në këtë media.
“Të gjithë pa përjashtim i keni dhënë emër ‘Koha Jonë’, por edhe keni marrë dhe emër nga ‘Koha Jonë’”, tha botuesi Nikollë Lesi.
Gazetarja Anila Hoxha mori çmimin Gazetare e Vitit, Alba Alishani, Moderatore e Vitit, Besnik Bami, Biznesmeni i Vitit, Vjosa Osmani Politikani i Vitit dhe Sokol Balla, Çmimi i Karrierës.