Pamje apokaliptike në Islandë, llava e vullkanit merr përpara shtëpitë
Shpërthimi i një vullkani në Islandë, për herë të dytë brenda një muaji, ka bërë që llava të marrë përpara dhe të djegë banesat në qytetin e peshkimit Grindavík, në jugperëndim të vendit.
Dy kratere u formuan pranë qytetit të dielën pas një rritje të aktivitetit sizmik që bëri që autoritetet të evakuonin komunitetin një ditë më parë.
Shpërthimi i parë i vullkanit filloi në orën 8 të mëngjesit kur një çarje u hap në tokë rreth 450 metra larg qytetit.
Barrierat mbrojtëse prej dheu dhe shkëmbi e shtynë llavën larg zonave të banuara.
Megjithatë, një çarje e dytë u krijua më pas shumë pranë qytetit, duke bërë që llava të përfshinte banesat.
Të paktën tre shtëpi janë përfshirë nga zjarri, treguan imazhet e drejtpërdrejta nga transmetuesi televiziv RUV.
“Në një fshat të vogël si ky, ne jemi si një familje, të gjithë e njohim njëri-tjetrin – është tragjike ta shohësh këtë”, tha një banor lokal, Sveinn Ari Gudjonsson, për Agence France-Presse.
“Është joreale, është si të shikosh një film”, shtoi 55-vjeçari, i cili punon në industrinë e peshkimit.