Lajme

Vijon zjarri në Lushnje, operacion për shpëtimin e dy 18-vjeçarëve. Shkon edhe RENEA

Vijon të jetë e rënduar situata në Lushnje ku një qendër tregtare u përfshi nga flakët këtë të hënë. Në katet e sipërme të saj ndodhen edhe apartamente banimi, çka ka bërë që disa banorë të mbeten të bllokuar.

Gazetarja Anila Sefa që raporton nga vendi i ngjarjes thotë se nuk dihet ende numri i saktë i atyre që kanë mbetur brenda. Një pjesë e tyre kanë dalë, por shqetësuese mbetet situata me dy djem 18-vjeçarë që kanë mbetur të bllokuar në katin e shtatë. Për ta është nisur një operacion për t’i shpëtuar.

Ajo që e bën problematike janë vetëm dy djem 18-vjeçarë që kanë mbetur në katin e shtatë. Më është raportuar nga ministri Taulant Balla, i cili thotë se po bëjmë një operacion vetëm për shpëtimin e tyre pasi për momentin ata janë më të rrezikuar dhe vijojnë të qëndrojnë brenda. Zjarri është aktiv në zonën ku ndodhen. Ata kanë telefonuar të afërmit e tyre dhe kanë kërkuar ndihmën dhe kanë caktuar pikërisht zonën ku ata ndodhen, ndaj edhe është kërkuar që në këto momente të ndërhyhet për të shpëtuar dy 18-vjeçarët”, raportoi Sefa.

Madje atje kanë mbërritur edhe forcat RENEA.

“Erdhën forcat RENEA, ja shikojini me mjete të posaçme. Po kërkojnë të futen në katet e larta nga ana e jashtme nëse do të depërtojnë brenda”, raportoi Sefa.

Gazetarja Sefa raportoi se shumë banorë kanë thyer xhamat e apartamenteve të tyre për të marrë ajër.

“Apartamentet nëse nuk është thyer kanë qenë vetë njerëzit brenda që kanë thyer xhamat e dritareve për të marrë ajër pasi të zbrisje ishte e pamundur”, tha gazetarja.

Ministri Taulant Balla ka kërkuar një helikopter që të ndërhyjë nga lart për shuarjen e zjarrit.

“Atje ka shkuar edhe një helikopter që është kërkuar nga vetë ministri i Brendshëm për të hyrë në katet e sipërme, ku është e pamundur ndërhyrja e mjeteve të zjarrfikësve”, theksoi ajo.

Sa i përket personave që janë dërguar në spital janë tashmë ndodhen në gjendje të stabilizuar në urgjencë.

“Më bëjnë me dije që 15 persona që ishin të bllokuar në katet e fundit, pjesa më e madhe e tyre tani kanë dalë. Gjatë gjithë kohës kanë qëndruar në dritare me peshqirë të njomë, për t’i bërë ballë të paktën asfiksimit nga tymi toksik që për dy orë vazhdon të dalë nga apartamentet që tashmë janë përfshirë nga tymi dhe nga flaka. Shumë persona të asfiksuar që janë nisur më herët për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Lushnjes, janë tashmë në gjendje të mirë shëndetësore, ata janë stabilizuar”, raportoi Sefa./tvklan.al