Automjeti i policisë përplas makinën e Gardës që shoqëronte familjarë të gjyqtares së GjKKO, Irena Gjoka
Eskorta e Gardës së Republikës, që shoqëronte familjarë të gjyqtares së GjKKO, Irena Gjoka, është përfshirë në një aksident mbrëmjen e së premtes.
Mësohet se eskorta e gardës është përplasur nga një makinë policie në Selitë, Tiranë.
Si pasojë e aksidentit drejtuesi i mjetit të policisë, efektivi me iniciale I.H., ka humbur kontrollin e makinës dhe automjeti ka dalë nga rruga.
Ka pasur debat mes efektivit që udhëtonte me makinën e policisë dhe punonjësve të gardës.
Shkak i përplasjes dyshohet se ka qenë lagështira në rrugë, ndërsa s’ka pasur të lënduar.
“Më datë 22.12.2023, në Selitë, janë përplasur (vetëm me dëme materiale) automjeti me drejtues shtetasin A. D., me automjetin e Policisë, me drejtues shtetasin I. H.
Si pasojë shtetasi I. H., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, raportoi Policia.