Vritet shqiptarja shtatzënë në Greqi
Policia arreston bashkëshortin dhe shokun e tij për krimin e rëndë
Gjendet e vrarë 41-vjeçarja shqiptare shtatzënë e zhdukur prej 1 Janarit në Greqi. Gjeorgjia Murati, banuese ne Selanik sipas policisë dyshohet se është ekzekutuar nga bashkëjetuesi i saj me të cilin ishte edhe shtatzënë në muajin e dytë.
Shqiptarja që mbeti viktimë ishte nënë e një vajze 13-vjeçare nga martesa e parë ndërsa bashkëjetonte së fundi pas divorcit me një 39-vjeçar. Ishte ky i fundit që denoncoi zhdukjen e Muratit gjatë natës se ndërrimit të viteve duke deklaruar tek organet policore se nuk ishte kthyer në shtëpi pas punës.
Mediat fqinje i kushtuan hapësirë rastit të zhdukjes së 41-vjeçares, duke shkuar edhe në shtëpinë ku ajo bashkëjetonte. Për mediat vendase, 39-vjeçari tregoi ambientin ku jetonte me Muratin.
Pas hetimeve intensive policia gjeti trupin e pajetë të 41-vjeçares shqiptare ne zonën e Kalkidhikise. Ngjarjen e ka zbardhur shoku i bashkëjetusit të viktimës i cili rrëfeu se e transportoi trupin me makinën e tij dhe se ndihmoi vetëm për largimin nga banesa e saj dhe jo në vrasje. Policia po heton për shkakun që shtyu 39-vjeçarin të kryente krimin e rëndë.
Pas hetimeve nga policia 39-vjeçari me precedent penal, i dyshuar si autor i vrasjes u arrestua bashkë me shokun e tij. Ky i fundit kërkohej nga policia me akuzat e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe vjedhjes.