Kronikë

Vritet me armë zjarri 22-vjeçari Gëzim Sinomataj në Vlorë

Gëzim Sinomataj, vetëm 22 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të diele në qytetin e Vlorës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrethana momentalisht të paqarta.

Nga të dhënat e para, dyshohet se i riu u ekzekutua në ballkonin e shtëpisë së tij, që ndodhej në katin e tretë të një pallati pranë poliklinikës së qytetit.

Foto nga vendi i ngjarjes: 22-vjeçari dyshohet se u ekzekutua në ballkonin e shtëpisë
Foto nga vendi i ngjarjes: 22-vjeçari dyshohet se u ekzekutua në ballkonin e shtëpisë

Autorët e kësaj ngjarjeje nuk dihen ende. Mister mbeten edhe motivet. Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e policisë, të cilat po punojnë për kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të kësaj vrasjeje.

Rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi Gëzim Sinomataj, 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë ka ndërruar jetë. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve. Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forcë”, tha policia e Vlorës në një informacion paraprak për mediat.

Ndërkohë burime paraprake për Klan News thonë se viktima dyshohet të jetë vrarë me snajper në ballkonin e shtëpisë së tij. I riu raportohet ishte kthyer nga Belgjika për të festuar vitin e ri në Shqipëri./tvklan.al