Vrau një kalë me armë gjahu dhe plagosi një tjetër, hetohet në gjendje të lirë 24-vjeçari
Orest Mezini është personi që vrau me armë gjahu një kalë në fshatin Shelgur të Kolonjës. Policia ka identifikuar 24-vjeçarin si autorin e ngjarjes dhe pas hetimeve të kryera doli në një përfundim ‘alla shqiptarëçe’.
Orest Mezini do të hetohet në gjendje të lirë, nën akuzën e ‘Keqtrajtimit të Kafshëve’. Ndonëse ligji në fuqi për vrasjen e kafshëve, është në masën deri në 2-3 vite burg, mbetet e habitshme sesi 24-vjeçari i ka shpëtuar këtij dënimi, duke mos u marr si i paraburgosur.
Për më tepër, përdorimi i armës së gjahut shihet i panevojshëm përsa kohë është vendosur një momerandum për gjuetinë, i cili ndalon vrasjen e shpezëve dhe kafshëve të egra. Në njoftimin e policisë nuk specifikohen rrethanat e ngajrjes dhe arsyen se përse i riu ndërmori këtë veprim.
Ndërkohë për këtë lajm kanë reaguar dhe pronarët e fermës, të cilët thonë se personi në fjalë është komshiu i tyre dhe se tashmë ndihen të rriskuar për jetën nga ky veprim i strukturave vendore të policisë.
Njoftimi:
Në lidhje me një rast të publikuar në rrjete sociale, në të cilin shfaqet një kafshë pune (kalë) e vrarë me armë gjahu, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje, referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. M., 24 vjeç, banues në fshatin Shelegur, Kolonjë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, më datë 26.01.2023, gjatë natës, në fshatin Shelegur, ka vrarë me armë gjahu 1 kafshë pune (kalë) dhe ka plagosur 1 tjetër kafshë, te dyja në pronësi të shtetasit J. H.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme./joq-albania