Lajme

Viti i ri, taksa të reja/ Nis tatimi për profesionistët e lirë

Nga 1 janari do të fillojë zbatimi i ligjit të ri mbi të ardhurat që prek të gjithë individët, shoqëritë tregtare, personat fizikë apo juridikë që kryejnë biznes.

Për të mundësuar vijimin e zbatimit me një VKM disa deklarata tatimore do vijojnë të kryhen sipas ligjit të vjetër, në mënyrë të thjeshtëzuar

“Në aktin normativ ne kemi parashikuar që një sërë deklaratash të cilat lidhen me listë pagesat do të fillojë të aplikohet nga data 1 janar 2025 apo deklarata e tatimit në burim, po ashtu dhe deklarata e të ardhurave individuale.”- shprehet v. ministrja e Financave, Vasilika Vjero.

Por, sa do të jetë numri i plotë i bizneseve që përfshihen në tatim dhe të ardhurat që qeveria pritet të mbledhë në buxhet prej tyre?

“Nga 120 mijë janë rreth 29 mijë subjekte që deri më sot kanë paguar një tatim zero. Ne kemi parashikuar efekte në masën 6.8 miliardë lekë dhe këto efekte dalin drejtpërsëdrejti nga deklaratat që këto subjekte kanë bërë përgjatë vitit 2023”

Tatimit përfshin edhe kategoritë e atyre që merren me dhënien me qira ditore të strukturave të akomodimit në platforma online si Airbnb dhe Booking.

“Nëse një subjekt është I regjistruar pranë Airbnb, si një individ tregtar do të duhet të hyjë në tatimin progresiv me normat 15- 23%. Dhe në rastin kur kemi të bëjmë me individë, pra ka shumë individë që regjistrojnë njësitë e tyre të banimit në AirBnb apo platforma të tjera, atëherë individët do duhet që të paguajnë një normë tatimi 15%. Nuk është e nevojshme që kjo normë të paguhet çdo muaj, por ajo do paguhet një herë në vit nëpërmjet deklaratës së të ardhurave individuale që dorëzohet në tremujorin e parë të vitit.”

Në ligjin e ri, qeveria ka përcaktuar se një fashë tjetër biznesesh, gati 90 mijë prej tyre, të konsiderua biznese të vogla familjare do të kthehen në regjim tatimor në 2029-ën.