Vetëvrasja e 41 vjeçares, reagon Policia e Durrësit: Ka bërë vetëm një kallëzim në 2022-in se i kishin hapur adresë false…
Bedrie Loka është 41 vjeçarja nga Durrësi e cila për shkak të bullizmit i ka dhënë fund jetës së saj më 2 Janar duke pirë fotoksinë. Në një njoftim zyrtar për rastin, Policia e Durrësit thotë se Loka ka bërë një kallëzim në Dhjetor të vitit 2022 për një adresë false që ishte hapur në emrin e saj, materiale të cilat janë referuar në Prokurori.
Më pas theksohet se nuk ka patur asnjë kallëzim tjetër nga e ndjera.
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetase që ka humbur jetën pasi dyshohet se ka konsumuar fotoksinë, për shkak të bullizmit, ju sqarojmë se: Më datë 02.01.2024, në orën 16:30, jemi njoftuar nga shërbimet e spitalit se shtetasja B. L., 41 vjeçe, që dyshohej se kishte konsumuar lëndë helmuese fotoksinë, edhe pse kishte marrë ndihmë mjekësore, nuk kishte mundur të jetonte. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka kryer të gjitha veprimet me grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, dhe materialet janë referuar në Prokurori. Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj. Për kallzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori. Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast. Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Ndërkohë që vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetases B. L”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u bë publike ditën e sotme. Dyshohet se gruaja bullizohej nga kolegët e saj në Tik Tok, dhe ky mund të ketë qenë shkaku që ajo është vetëhelmuar. Megjithatë pritet që grupi hetimor të zbardhë më shumë detaje./tvklan.al