Tragjedi në Itali, autobusi me fëmijë përplaset me një ambulancë! Katër të vdekur, një shqiptar mes viktimave
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali, ku një autobus me fëmijë është përplasur me një ambulancë pranë Urbino dhe nga shpërthimi kanë humbur jetën 4 persona, mes të cilëve një shqiptar.
Viktimat e aksidentit janë një mjek 40-vjeçar me kombësi shqiptare, shoferi i ambulancës, një infermier dhe pacienti 80-vjeçar që po transportonin nga Fossombrone në Urbino.
Nga sa raporton kompania shëndetësore, 7 persona kanë mbetur të plagosur, 4 të transportuar në spitalin e Pesaros (dy fëmijë dhe dy shoqërues), dhe tre në spitalin e Urbinos (2 fëmijë dhe një shoqërues).
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën shtetërore 73 bis që lidh Urbinon me Fermignano, brenda tunelit Ca’ Gulino. Tymi i zi dhe flakët kanë përfshirë tunelin pas shpërthimit të ambulancës.
Mësohet se fëmijët në bordin e autobusit, të gjithë nën moshën dhjetë vjeç, ishin një grup nga famullia Madonna della Speranza e Grottammare që po shkonin në ekskursion në Urbino për të vizituar skenat e lindjes së Krishtit. Sipas medieve italiane, të miturit janë të gjithë të sigurt, në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është mbyllur rruga shtetërore dhe zjarrfikëset po punojnë për shuarjen e flakëve, por kanë hasur në vështirësi për të hyrë në tunel për shkak të tymit dhe temperaturës së lartë./albeu.com