Lajme

Skandali/ “Bëj ç’të duash me beben”, prindërit në Durrës shesin 5000 € fëmijën në barkun e nënës

Shitja e fëmijëve,duket se është kthyer në një “biznes” fitimprurës tek një familje në Durrës. Një baba 27 vjeçar së bashku me bashkëshorten e tij, kanë nxjerrë në shitje fëmijën e gjashtë edhe pse ai nuk ka ardhur akoma në jetë dhe i duhen dy muaj për të lindur.

Ngjarja tragjike është denoncuar mbrëmjen e së hënës nga gazetarët e emisionit “Fiks fare” të cilët pasi kanë mësuar se Emre Nuredini, kërkonte të shiste fëmijën që bashkëshortja e tij mbante, kanë kontaktuar menjëherë me të. Fiksi ka realizuar bisedat me bashkëshortët dhe denoncuar skandalin e radhës me shitjen e fëmijëve. Emre Nuredini, është 27 vjeç me origjinë nga Elbasani.

Pas martesës ai ka qëndruar disa vite në Tiranë, ku edhe është dënuar me burg për vepra penale të ndryshme. Aktualisht ai sëbashku me bashkëshorten e tij Rexhina Nuredini banon në Shkozet Durrës. Familja Nuredini kanë pesë fëmijë dhe presin fëmijën e gjashtë të cilin e kanë nxjerr në shitje.

Policia e Durrësit ka arrestuar një 27 vjeçar dhe ka proceduar penalisht bashkëshorten e tij, një 25 vjeçare, pasi janë shfaqur mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke planifikuar shitjen e foshnjës që gruaja mbante në bark, për 5,000 euro.

Shitja e fëmijëve,duket se është kthyer në një “biznes” fitimprurës tek një familje në Durrës.
Shitja e fëmijëve,duket se është kthyer në një “biznes” fitimprurës tek një familje në Durrës.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe referuan materialet në Prokurori, për shtetasen Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Mbrëmjen e djeshme, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro”, njofton Policia e Durrës, teksa falenderon mediat për denoncimin e rasteve të paligjshmërive.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë, dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.