“S’ka kush më sjellë 1 gotë ujë”, 71-vjeçarja e paralizuar, 17 vite pa parë fëmijët
Varfëri, mjerim dhe probleme pa fund. Kështu mund të përmblidhet me pak fjalë historia e 71-vjeçares Liljana Kovaçi, nga Elbasani.
E moshuara vuan nga shumë sëmundje, ndërkohë që ka 13 vite që dergjet në shtrat e vetmuar dhe muajt e fundit ka pësuar edhe paralizë.
“Kam problem shëndetësor, kam vite që jam rrëzuar, kam rënë nga tarraca mbrapsht me kokë. Jam shtruar në urgjencë disa herë te neurologu”, tregon e moshuara.
Mes sëmundjes së rëndë dhe varfërisë, 71-vjeçarja me lot ndër sy apelon për ndihmë në mënyrë që të arrijë të plotësojë kushtet bazë dhe siç ajo thotë, të jetojë.
“Unë kam probleme shëndetësore dhe përveç kësaj jam paralizuar. Kam gati dy muaj që unë nuk luaj këmbë e duar, kam një muaj që as ha as pi. Nuk kam njëri kush të më bëj hyzmet, kush të më japë një gotë ujë. Vetëm azili me sjell bukën e drekës një vakt e unë gjithë kohën rri pa ngrënë. Edhe për t’u ngritur për të shkuar në tualet, do eci këmbadoras, do rrëzohem. Kur jam rrëzuar, ka ardhur ambulanca dhe policia dhe ka gjetur dy dyert mbyllur”, thotë 71-vjeçarja.
Edhe pse Liljana ka tre fëmijë, ajo dergjet ne shtat e vetme, duke mos pasur mundësinë as të ushqehet.
“Më kanë vdekur motra, vëllezër, kam një motër në Durrës ajo është sëmurë për vete. Fëmijët kanë vite që kanë ikë, unë kam gati 17 vjet që më kanë braktisur kalamajtë në këtë kuzhinë. Unë kam tre fëmijë, dy çuna, një gocë. I vogli është 45 vjeç, u martua dhe ka ikur në Itali me gjithë gruan”, tregon e moshuara.
Duket e pabesueshme që në vitin 2024, 71-vjeçarja të jetojë në këtë gjendje.
Në shtëpinë përdhese e me lagështi nuk ka asnjë orendi. Frigoriferi është bosh dhe dollapët pa ushqime.