Lajme

Shkencëtarët japonezë synojnë të krijojnë energji elektrike nga bora

Disa shkencëtarë japonezë janë duke testuar disa mundësi për gjenerimin e energjisë elektrike nga bora, me synimin për të siguruar një burim të rinovueshëm të energjisë.

Në qytetin e Aomor bie shumë borë çdo vit, dhe duke pasur parasysh këtë, shkencëtarët filluan testet në pishinën e një shkolle fillore të braktisur, për të shqyrtuar mundësinë e gjenerimit të energjisë nga ndryshimi i temperaturës midis borës dhe ajrit përreth.

Forte Co. dhe Universiteti i Telekomunikacionit i Tokios duan të furnizojnë një turbinë me energji që do të gjenerohet nga një lëng që fillimisht do të ftohet nga bora e ruajtur dhe më pas do të avullohet falë nxehtësisë së ajrit përreth. Në Aomori, vëllime të mëdha dëbore hidhen në det pasi mblidhen nga borëpastruesit dhe kamionët.

Në vitin e kaluar sipas një bilanci që përfundoi në mars 2022, kostot e heqjes së borës ishin rritur në një rekord prej 5.9 miliardë jen (41.9 milionë euro). “Dëbora është trajtuar si një shqetësim, por ne mund ta përdorim atë,” tha një zyrtar i qytetit. Më 16 dhjetor, punëtorët e Forte vendosën materiale izoluese brenda pishinës.

Shkencëtarët japonezë synojnë të krijojnë energji elektrike nga bora
Shkencëtarët japonezë synojnë të krijojnë energji elektrike nga bora

Hulumtime të mëtejshme do të kryhen për ruajtjen e borës, si dhe sasinë e energjisë elektrike që mund të prodhohet. Sipas Forte, sfidat më të mëdha janë gjetja ose krijimi i një infrastrukture në shkallë të gjerë për të ruajtur borën, si dhe sigurimi i ajrit të nxehtë gjatë dimrit.

Për të arritur temperaturën e nevojshme, kompania do të konsiderojë shfrytëzimin e burimeve të nxehta.

“Ky është një Burim i Rinovueshëm i Energjisë që është unik në një zonë me shumë dëborë. Ky projekt do të çojë gjithashtu në krijimin e një industrie të re”, tha Jun Kasai, kreu i Forte.