Lajme

Sapo zbriti nga makina, qëllohet me armë zjarri një shqiptar në Greqi

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur ndaj një shtetasi shqiptar në Selanik gjatë mbrëmjes së sotme.

Sipas burimeve nga mediat greke, atentati ka ndodhur në zonën e Xirokrinit, në Selanik, në orën 22:00, jashtë një restoranti në rrugën Ampelonon.

Dy persona kanë qenë duke debatuar me njëri-tjetrin dhe në një moment njëri prej tyre nxori një armë dhe qëlloi tjetrin një herë në këmbë, ndërsa dëshmitarët okularë thonë se u qëllua edhe një e shtënë e dytë.

Pas të shtënave autori, i cili sipas informacioneve është me origjinë shqiptare, u largua nga vendi i ngjarjes ndërsa policia nisi kërkimet për ta gjetur dhe arrestuar.

I plagosuri gjithashtu me origjinë shqiptare, u dërgua në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm. Zona u rrethua nga forcat e policisë.

Ngjarja thuhet se ka ndodhur sapo viktima ka zbritur nga makina e tij.