BotaSports

Rrëfehet djali i Maradonës: Ma vranë babanë, e kam një ide se kush është fajtori

Italiano-argjentinasi Diego Armando Maradona Júnior, djali i legjendarit Maradona, siguroi se e vranë babanë e tij, sepse e braktisën në fatin e tij kur mund të bëhej diçka. Ai madje shtoi se e ka një ide kush mund të ketë qenë fajtor.

“Ka një hetim të hapur. Ne, fëmijët e tij, kemi shumë besim në drejtësinë argjentinase. Jam i bindur që kjo nuk duhet të përfundonte kështu. Ata vranë babanë tim. Nuk është detyra ime të them se kush e bëri këtë. Unë kam idenë time, por nuk mund ta them. E lanë në fatin e tij kur mund të bëhej diçka, – deklaroi ai në programin “Verrisimo”. – Kam bërë një premtim: deri në ditën e fundit të jetës sime do të luftoj për drejtësi”.

Djali i futbollistit historik, i lindur në Napoli (1986) si pasojë e një lidhjeje jashtëmartesore mes Diegos dhe Cristiana Sinagra, ka shpjeguar se si e ka përjetuar vdekjen e të atit: “Ndjenja e zbrazëtisë nuk do të largohet kurrë. Megjithatë, dashuria që të gjithë tregojnë për të na e lehtëson dhimbjen, të paktën pjesërisht.

Përpiqem t’i shoh gjërat nga ana pozitive, kam luftuar për një kohë të gjatë me nënën time dhe gjithë familjen për njohjen e atësisë dhe në fund kam pasur privilegjin të jem pranë tij dhe të kem një marrëdhënie normale me babain. Ishin katër vite shumë të bukura”.

Përveç kësaj pranoi se keqardhja e tij më e madhe ishte që Maradona nuk ishte në gjendje të takonte vajzën e tij dhe zbuloi se për këtë vazhdon të ndjejë shumë dhimbje: “Nuk e kam pranuar plotësisht vdekjen e tij. Nuk mendoj se do ta bëj ndonjëherë.

Në kohën kur babai isha i sëmurë, vetë isha shtruar në spital për Covid. Pra, nuk mund të shkoja në Argjentinë. Mora një mesazh nga një mik spanjoll, por nuk e kisha idenë për asgjë. Ndez televizorin dhe pashë që të gjithë ishin duke folur për vdekjen e tij. Pastaj gruaja ime më konfirmoi lajmin”.