“Jam kryeministri juaj!”/ Albin Kurti suprizon udhëtarët e parë në fluturimin pa viza: Kujdes, mos thyeni rregullat!
“Mos qëndroni më shumë se 90 ditë përbrenda 180 ditëve, sepse, siç e dini, liritë kanë rregulla”
Qytetarët e Kosovës kanë nisur nga 1 Janari udhëtimet e tyre pa viza në vendet e zonës Schengen.
Kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur të surprizojë qytetarët e përzgjedhur në udhëtimin e parë pa viza. Ai dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ishin paraditen e 1 Janarit në aeroportin “Adem Jashari”. Ndërsa përgatiteshin të niseshin drejt Austrisë, qytetarët dëgjuan zërin e Kurtit, në vend të atij të kapitenit.
“Mirëdita të gjithëve! Ky nuk është kapiteni juaj, por kryeministri juaj. Fillimisht urime vitin e ri. Sot është dita e parë e vitit 2024, por njëkohësisht është edhe dita e parë e udhëtimit pa viza”, iu lajmërua atyre kryeministri.
Ai iu kërkoi atyre që të mos i thyejnë rregullat e liberalizimit të vizave, që përcaktojnë qëndrim deri në 90 ditë në zonën Schengen përbrenda 180 ditëve.
“Mos qëndroni më shumë se 90 ditë përbrenda 180 ditëve, sepse, siç e dini, liritë kanë rregulla”, iu tha Kurti atyre.