Rajoni

“Incident me përmasa ndërkombëtare”,alarmohet pas rastit në Kullën e Aeroportit

Prokuroria Themelore në Shkup ka lëshuar urdhër për hetime ndaj tetë personave që dyshohen se kanë rrezikuar sigurinë e komunikacionit ajror në Shkup, kur më 4 janar “kanë penguar shërbimet në aeroport”.

Sipas dyshimeve, këta persona kanë rrezikuar trafikun ajror ndërkombëtar kur në hapësirën ajrore të Maqedonisë po zhvilloheshin 28 fluturime. Prokuroria ka kërkuar paraburgim për katër të dyshuar, ndërsa për të tjerët është në kërkim.

Disa persona kishin hyrë me forcë në hapësirat e institucionit që drejton fluturimin e aeroplanëve nga Aeroporti ndërkombëtar i Maqedonisë së Veriut.

Drejtuesit e Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit nuk e kanë përjashtuar mundësinë e mbylljes së hapësirës ajrore deri të zbardhet rasti i sulmit ndaj punonjësve, të cilën dolën në mbështetje të një proteste kundër punësimeve partiake, siç pretendon sindikata.

“Nëse nuk zbardhet rasti, ne jemi të vendosur që nga 10 janari të mbyllim hapësirën ajrore mbi Maqedoninë e Veriut, sepse beteja jonë ka të bëjë edhe me garantimin e sigurisë së çdo pasagjeri që udhëton me aeroplan”, ka thënë kryetari i kësaj sindikate, Aleksandar Tasevski.

Por, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi, ka thënë se tashmë “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar.

Ai ka theksuar se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari i sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Si ndodhi incidenti në Kontrollin e Fluturimeve?

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, një i punësuar në kontrollin e fluturimeve me inicialet B.N, së bashku me disa persona të tjerë i kanë sulmuar fizikisht tre të punësuar të tjerë në këtë institucion.

Sindikata, ndërkohë, ka thënë se personi që e ka udhëhequr grupin është i punësuari, Bekim Neziri, ish-ministër i Ekonomisë dhe kryetar i degës së BDI-së në Çair të Shkupit. Neziri, të premten, është shoqëruar në polici ku është marrë në pyetje lidhur me incidentin.

Prokuroria Themelore Publike е Shkupit ka njoftuar të premten se është në pritje të kallëzimit penal nga Ministria e Punëve të Brendshme kundër personave që i sulmuan në vendet e punës disa kontrollorë të aeroplanëve që e kishin mbështetur një grevë.

Incidenti në hapësirat e Kontrollit të Trafikut Ajror ndodhi derisa sindikata e këtij institucioni po protestonte kundër një konkursi për punësime të reja, e që nga sindikalistët konsiderohej i jashtëligjshëm për shkak të shkeljes së procedurave me synimin për punësime të kuadrove të partive në pushtet.

Pas denoncimit të rastit kanë ndërhyrë forcat policore, të cilat kanë marrë nën mbikëqyrje sigurinë e këtij institucioni që ruhej nga agjenci private të sigurimit, transmeton REL.

Qeveria do t’i shkarkojë të gjitha organet drejtuese

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria maqedonase të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, do t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese.

I gjithë menaxhmenti do të pushohet dhe do të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit”.

“Me iniciativë të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në konsultim me ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, në seancën e radhës të Qeverisë do të merren disa vendime: i gjithë menaxhmenti dhe të gjithë anëtarët e Bordit të Menaxhimit do të pushohen dhe do të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit në një proces publik, transparent dhe të përcaktuar me ligj”, thuhet në njoftim.

Qeveria, gjithashtu, do t’i bëjë thirrje Prokurorisë Publike, Agjencisë së Auditimit, Policisë Financiare dhe organeve ndërkombëtare të kontrollit të trafikut ajror që të bëjnë një auditim të plotë të punës së Kontrolleve Civile.

Opozita alarmon për pasoja të rënda në trafikun ajror

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka reaguar lidhur me sulmin që ndodhi në Kullën e kontrollit në Aeroportin e Shkupit. Ai ka thënë se ky ka qenë akt skandaloz me përmasa ndërkombëtare.

“Sulmi në Kullën e kontrollit në Aeroportin e Shkupit është një incident skandaloz me përmasa ndërkombëtare. Ky akt ka rrezikuar komunikacionin ajror ndërkombëtar dhe jetën e qindra ose mijëra pasagjerëve që mund të kenë pësuar si pasojë e këtij incidenti. Përshëndes reagimin e prokurorisë dhe kërkesën për paraburgimin e të dyshuarve dhe presim që drejtësia të jep verdikt të drejtë dhe të merituar, me qëllim që aktet e këtilla të marrin dënimin e duhur dhe të mos përsëriten më asnjëherë. Njëkohësisht kërkojmë nga autoritet përgjegjëse që të rrisin nivelin e sigurisë në objektet dhe institucionet e këtilla, ndërsa të hetohet edhe mënyra se si sulmuesit pa autorizim kanë arritur të futen në kullën e kontrollit”, ka shkruar Taravari.

Ngjarjet në Institucionin e Kontrollit të Fluturimeve kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin në Maqedoni.

“Pasojat e kësaj mund të ishin fatale, pasi i gjithë trafiku ajror rrezikohet drejtpërdrejt nga ndërhyrje të tilla në punën e këtij organi me rëndësi të madhe për trafikun ajror. Derisa kontrollorët po monitoronin fluturimet e më shumë se 40 aeroplanëve, banditë të BDI-së hynë në Kontrollin e Fluturimeve dhe rrahën punonjësit, ndërsa më pas kaluan nëpër dyer të tjera, të cilat nuk do të hapeshin nëse personi që udhëhoqi sulmin nuk do të kishte patentë apo kartë zyrtare”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme ka thënë se incidenti në Kontrollin e Fluturimeve flet, sipas tij, se politizimi i institucioneve ka “shkuar deri në qiell” dhe kjo me pasoja serioze për mijëra njerëz që shfrytëzojnë hapësirën ajrore.

Ai ka thënë se ky rast tregon si asnjëherë më parë nevojën urgjente për depolitizimin e institucioneve me rëndësi vitale për vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *