Gjykata shpalos detaje tmerruese nga vrasja e Liridona Ademaj- Murselit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbajtur seancën e parë mengjesin e sotëm, ku ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, për vrasjen e Liridona Ademaj – Murselit.
Gjatë seancës, gjykata ka shpalosur detaje të reja rreth vrasjes së Liridona Murselit, që u vra mbrëmjen e së mërkures.
Sipas njoftimit të Gjykatës, dyshohet se bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli ia kishte dhënë armën Granit Plavës dhe e kishte inskenuar grabitjen.
Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës, thuhet se Naim Murseli me marrëveshje ishte larguar nga vetura “kinse për të ikur” ndërsa në veturë kishte mbetur Liridona Ademaj.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Liridona Ademaj- Murseli u vra me datën 29.11.2023, ndërsa të premtën, më datën 01.12.2023 ditën e varrimit të saj është arrestuar si i dyshuar kryesor burri i saj, Naim Murseli.
I njëjti dyshohet se ka paguar Granit Plavën, bashkëfshatar i tij për të kryer vrasjen