Drejtori i Policisë: Ka raste kur disa shkaktojnë aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka ndarë detaje për rastet e kundërvajtjes së shoferëve në trafik.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, Hoxha tha se edhe personat që kanë organizuar garën ilegale në Prizren ku humbën jetën tre të rinjë, kanë precedentë të kundërvajtjeve në komunikacion.
Sipas tij, këtu përfshihen edhe ata që kanë marrë pjesë në garë, edhe ata që kanë qenë shikues.
“Policia e Kosovës ka databazë prej fillimit të krijimit të saj, jo vetëm penale, por edhe për rastet e kundërvajtjes. Edhe këta personat që kanë marrë pjesë atë ditë në gara, edhe të tjerët që kanë qenë në cilësinë e tifozëve ose shikuesve kanë precedentë të kundërvajtjeve në trafik dhe, siç tha edhe ministri, edhe në organizim të garave”, tha ai.
Hoxha tha se këto të dhëna që i posedon Policia, vitin e kaluar kanë ndihmuar në zbulimin e disa personave që, siç tha ai, shkaktonin aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi.
“Bile bile, ne kemi pasur raste vitin që shkoi kur kemi hetuar se individë të caktuar me automjetet e tyre bëjnë shpesh aksidente të trafikut. Pastaj hetuesit tanë bërë analiza dhe kanë parë se po bëjnë aksidente të qëllimshme me qëllim të përfitimit nga sigurimi i tyre dhe pastaj i kemi arrestuar. Kemi bërë edhe hetime penale lidhur me ta”, tha drejtori i Policisë.