Digjet shtëpia në Tiranë, por shpëton vetëm libri i Kuranit – zjarrfikësi tregon momentin emocionues
Një rast si në filma ka ndodhur në një shtëpi të shkrumbuar nga zjarri në Tiranë. Zjarrfikësi Alban Barlika ka gjetur mes bibliotekës së djegur, vetëm librin e Kuranit që nuk ishte përfshirë nga flakët.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar momentin kur e gjeti Kuranin, i cili ndryshe nga çdo objekt i shtëpisë kishte shpëtuar pa u prekur nga zjarri.
Albani theksoi se kjo është një mrekulli që ka ndodhur nga Zoti, dhe jo vetëm një herë, por edhe në disa raste të tjera në Tiranë.
“Shtëpia e gjitha e shkrumbuar, madje edhe biblioteka me të gjithë librat e tjerë, përveç Kuranit. Unë jam edhe besimtar vetë, edhe i disa gjëra, por diçka është e sigurt se Zoti thotë që ‘Atë që e kam zbritur unë, e mbroj unë dhe çdo gjë që them bëhet’. Kështu që nuk është e madhe për t’u habitur, por ne habitemi me këta që mundohen ta djegin.
Është thjesht një letër si gjithë të tjerat, por thjesht është fjala e Zotit, nuk është se ka ndonjë ndryshim që është materiali kundra zjarrit, ose është metal, ose është diçka e tillë. Nuk ka fare lidhje kjo pjesë, është si gjithë librat e tjerë.
Ai ndodhej mes librash, të gjithë ishin djegur, ndërsa ky jo. Ishte ngjyra e kuqe që dukej i padjegur. Ka ndodhur në disa raste këtu në Tiranë, por që nuk janë bërë virale. Madje, kemi edhe një rast tjetër që nuk kam qene vetë prezent, por që është e sigurt që aty gjithë libraria dhe komplet shtëpia është djegur, vetëm Kurani jo.
Të bjeri në sy diçka si kjo është diçka shumë pozitive. Unë kam edhe një shok të një feje tjetër, një koleg dhe realisht ai ka para të njëjtën gjë diku tjetër dhe ma ka nisur me foto për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur”, u shpreh Barlika.