Çudia/ Shkon për certifikatë për pension, gjendja civile e nxjerr të vdekur
Mimoza Gjika është pajisur me certificate vdekjeje në 30 tetor 2023, kur në fakt është në jetë dhe ka kërkuar certifikatë personale për pension.
Jo vetëm kaq! Zonja Gjika tregon, se edhe adresën e ka gabim, pasi nuk përkon me adresën e saj të vërtetë. Një tjetër problem është dhe statusi i saj. Zonja është e ve prej vitit 2009, por në Shqipëri rezulton e martuar.
Mimoza Gjika: Për të bërë dokumentet për pension, meqenëse jam 61 vjeç e 6 muaj dhe më takonte të marrë pension. Meqenëse unë në certifikatën personale figuroj si e martuar, më kërkuan nga zyrat e sigurimit shoqëror që të paraqes certifikatë martese. Në vend të certifikatës së martesës, më nxjerrin certifikatë vdekjeje. Edhe e shikoj, thotë që unë kam vdekur në ditën e dasmës, 25.04.1998.
Gazetarja: Vendi i vdekjes është në Lygourio, Greqi?
Mimoza Gjika: Po, në vendin ku jam martuar.
Gazetarja: Statusi juaj sot cili është?
Mimoza Gjika: Jam e ve unë tani.
Gazetarja: Prej sa vitesh?
Mimoza Gjika: Kam që në 2009-n, burri im ka ndërruar jetën. Edhe jam e ve, kam dërguar të marrë, të bëj shkëputjen, nga e martuar të njihem si e ve, edhe më thanë: “Meqë është shtetas i huaj nuk kemi ne të drejtë të bëjmë çregjistrimet këtu”.
Gazetarja: Tani do t’i bësh letrat e pensionit kështu siç e ke situatën?
Mimoza Gjika: Di unë, s’kam për ta marrë kurrë pensionin.
Ersila Kazazi: Zonja ka bërë një kërkesë tek e-Albania për certifikatë martese. Duke qenë se ajo është e martuar me shtetas të huaj, automatikisht merr thjesht certifikatë personale me shënimin poshtë që është e martuar me një shtetas të huaj. Gabimisht, ka qenë një lapsus dhe i kemi kërkuar falje 1000 mijë herë zonjës, në vend të shtypnim rubrikën certifikatë lindje, kemi shtypur gabimisht certifikatë vdekje. Dhe për këtë motiv i kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i kërkojmë vazhdimisht zonjës falje sepse siç thashë, ishte një lapsus i momentit.
Gazetarja: Ndërkohë zonja ka prej vitit 2009 që i ka ndërruar jetë bashkëshorti dhe ndërkohë ende konfiguron në Shqipëri që është me statusin e martuar. Çfarë veprimesh duhet të ndjekë që të kalojë në statusin e ve, në mënyrë që më pas të ndjekë edhe procedurat për të marrë pension këtu?
Ersila Kazazi: Thjesht të sjellë aktin e vdekjes të bashkëshortit që është mbajtur në Greqi dhe automatikisht ne bëjmë ndryshimin e statusit nga e martuar në e ve. /tvklan.al