Lajme

Bonusi 5 mijë lekë për pensionistët, Tabaku: Muaji i shtrëngimeve jo i festave!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur këtë të mërkurë lidhur me bonusin prej 5 mijë lekësh të reja që qeveria vendosi të japë për pensionistët me rastin e ndërrimit të viteve.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Tabaku shprehet se edhe pse kemi gjithë vitin që dëgjojmë qeverinë të mburret për rritjen e të ardhurave, pensionistët janë gjithnjë të fundit në llogari. Ajo shton se muaji dhjetor për pensionistët nuk është muaji i festave, por i shtrëngimit.

“Ne kemi gjithë vitin që dëgjojmë qeverinë që mburret dhe krekoset për rritjen e të ardhurave duke theksuar 2023 si vitin më të mirë të ekonomisë, me të ardhurat dhe investimet më të larta.

Po çfarë po ndodh në muajin Dhjetor? Ndërkohë që kemi çmimet më të larta, rritjen me 30% të çmimeve të produkteve të shportës, shpërblimi për pensionistët prej 5 mijë lekësh është më i ulëti në mënyrë absolute. A reflektohet ky bollëku i propagandës qeveritare në tryezat e pensionistëve? Çfarë mund të blejë një pensionist me 160 lekë në ditë? Çfarë mund të blejë me 5 mijë lekë në muaj? Si mundet një pensionist që  krahas rritjes së çmimit të bukës, së  sheqerit e orizit, çmimit të ilaçeve, të transportit publik, shtrëngimit të jetesës, të mundet që ta kalojë natën e fundit të vitit me dinjitet? Është  Dhjetori i festave por për pensionistët është kthyer në Dhjetorin e shtrëngimeve.

Pensionistët janë gjithnjë të fundit në llogari, janë gjithnjë të fundit për të qenë solidarë, janë gjithmonë të fundit edhe në rastin e shpenzimeve.

Që nga rritja e pensioneve, te indeksimi për inflacionin deri tek festa e fundvitit, tregon sa vlejnë pensionistët për qeverinë shqiptare, më pak se kjo monedhë” shprehet Tabaku.