Lajme

Berisha: Rama kërkon të arrestojë liderin e opozitës, si Putin Navalnyn

Ish kryeministri Sali Berisha ka mbajtur këtë të hënë një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjete sociale.

Në fjalën e tij Berisha uroi besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve dhe tha se ky 25 dhjetor i gjen shqiptarët duke festuar nën diktaturën e bandave.

“Edhe njëherë nga zemra uroj gëzuar Krishtlindjet.

Sot unë kam zgjedhur të bisedoj me miqtë e mi në rrjetet sociale.

Ajo çka unë mund të theksoj se ne festuam këto Krishtlindje në diktaturën e bandës, të udhëhequr nga Edi Rama.

Kjo diktaturë nuk ka në bazë ideologjinë marksiste-leniniste, nuk shpall forcë lëvizëse luftën e klasave, por kjo diktaturë ka si forcë kryesore lëvizëse aleancën me krimin e organizuar dhe drogën.

Në këtë vend, krimi dhe kreu i tij, Edi Rama, vendosin kudo, vendosin në rrugë, në qelitë më të sigurta të burgjeve, në parlament, në prokurori, në ekzekutiv dhe në çdo skutë të këtij shteti.

Kjo aleancë ka fshirë ose ka shndërruar në letër të vdekur, ligjet e mira, demokratike që u hartuan dhe u miratuan në këto dekada. Për të garantuar liritë dhe të drejtat e njeriut, për të garantuar pronën, për të garantuar dinjitetin njerëzor dhe zhvillimin e vendit.

Kjo aleancë vendosi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Kjo aleancë dikton sot me forcën më të madhe rezultatin e zgjedhjeve. Imagjinoni në Shkodër se si i përmbys rezultati nga bandat e blinduara të qeverisë dhe ministrave të saj në bashkëpunim”, tha Berisha.

Berisha u ndal gjithashtu dhe te procesi penal i nisur ndaj tij, ku tha se me urdhër politik, njësoj si Navalny që u arrestua nga Putin, ashtu është urdhëruar dhe arrestimi i tij.

“Por ai shkon më tej, kërkon të arrestojë kryetarin e partisë më të madhe politike opozitare.

Vladimir Putin, këto kohë, ka zhdukur Navalnin edhe nga burgjet, nuk dihet ku është.

Pse? Se ka frikë se Navalni do regjistrohet si kandidat për president.

Putin, Navalnin e ka frikë edhe në burg aty ku është.

Edi Rama bëri të njëjtën gjë. Nuk lejoi në kundërshtim me ligjin, regjistrimin e emrit tim si kryetar koalicioni.

Edi Rama bëri edhe më shumë. Nuk lejoi as regjistrimin e emrit të PD nga frika dhe tmerri.

Ne jemi sot në këtë situatë kur ai në një zinxhir veprimesh antikushtetuese, ka vendosur që të arrestojë, të dënojë me arrestim Sali Berishën, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë provë për një proces që është më i ligjshmi që mund të bëhet.

Në dosjen Partizani ka një moment: Jamarbër Malltezi, njëri nga qindra pronarë të territorit, ka marrë 410 metra tokë. Në këtë proces që ka zgjatur nga viti 1995 deri në vitin 2009, Sali Berisha nuk ka një firmë të vetme në procesin e njohjes dhe privatizimit të objekteve të klubit Partizani.

Nuk ka një punonjës që të paraqesë ankesën apo dëshminë më të vogël se Sali Berisha ka ndërhyrë në këtë proces.

Por ka diçka tjetër. Së pari, e gjithë dacibao e Edi Ramës dhe prokurorëve të tij është e ndërtuar mbi fshehjen e dokumenteve zyrtare. Është formuluar duke mos e pyetur asnjë herë Sali Berishën dhe as Jamarbër Malltezin, sepse dihej se shpjegimet e tyre do asgjësonin pretendimet e tyre.

Ka një moment tjetër, për ta mbyllur me këtë çështje. Nga toka e familjes Begeja, nga e cila Jamarbër Malltezi ka marrë 410 metër katrorë tokë, Edi Rama me Karlo Bolinon kanë marrë 1500 metër katrorë tokë, të cilën Begejsit me fisnikërinë e tyre, e lanë për ndërtimin e një gjimnazi pasi zona prej 65 mijë banorësh nuk kishte një të tillë.

Në vend të gjimnazit, Edi Rama ka firmosur 4 vendime qeverie të personalizuara për Karlo Bolinon, çka njeriu nuk e bën kurrë veçse kur është vetë pronar, për të rrëmbyer 1500 metër katrorë tokë.

Ju keni konstatuar se unë kam ndjekur me përpikmëri, ose kam kërkuar asgjë tjetër përveç zbatimit të Kushtetutës dhe ligjit”, tha Berisha.