Lajme

Bedri Hamza flet për shpërthimin në Kçiq: 15 Të lënduarit janë nga e njëjta familje, ka edhe nga diaspora

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pasdite në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku disa persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi. Fillimisht Policia tha se numri i të lënduarve është 13, por sipas Spitalit Rajonal në Mitrovicë, shifra është 15, raporton kanal24 albania.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka dalë në vendin e ngjarjes e më pas ai është nisur drejt Prishtinës për të qëndruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku të lënduarit u dërguan për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Hamza ka thënë se të lënduarit në bazë të informatave janë nga e njëjta familje dhe ka edhe disa familjarë nga diaspora.

“Isha edhe brenda. Sipas informatave ka prej tyre që e kanë shkallën e lëndimit më të madhe, e disa më të vogël. Uroj që të gjithë të jenë mirë e të mos kenë rrezik për jetë e iu uroj shërim të shpejt dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj mjekët për një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai për kanal24 albania.

Përmes një komunikate për media, SHSKUK-ja njofton se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po trajtohen 13 persona.

Pacientët kanë pësuar djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në pjesë të ndryshme të trupit, teksa katër nga ta janë futur në operim.

“Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, po trajtohen 13 pacientë si pasojë e djegieve nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiç të Mitrovicës.

Pacientët pasi kishin marrë trajtimin fillestar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, janë sjellë në QKUK.

Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Ekipi emergjent në përbërje të mjekëve specialistë të profileve të ndryshme dhe infermierëve po trajton që të trembëdhjetë pacientët.

Katër nga ta janë duke u operuar në sallën e operacionit”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa zëdhënësja e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, Nita Mustafa, i tha Sinjalit se 15 persona janë dërguar në Emergjencë për tretman mjekësor, por për shkak të natyrës së lëndimeve, ku 14 nga ta janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

“15 persona kanë pranuar tretman mjekësor në Emergjencë. 14 prej tyre janë dërguar për trajtim në QKUK për shkak se kanë pasë lëndime më të rënda. Ndërsa njëri prej tyre është liruar për në shtëpi”, tha Mustafa për Sinjalin

Ndërkohë rastin e rëndë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale, Avni Zahiti.

“Rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se si pasoj e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombolë gasi“, tha Zahiti për kanal24 albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *