Sports

Tirana vend kandidat për organizimin e botërorit të peshëngritjes për të rritur në 2024

Veliaj pret Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës, Antonio Urso: Do të ishte
një privilegj i madh.

Tirana është kandidate për të qenë vendi organizator i Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti ditën e sotme Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Botërore të Peshëngritjes, Antonio Urso, i cili dha edhe lajmin e mirë për vendin tonë.

Kryebashkiaku vlerësoi angazhimin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, e cila fill pas kampionatit të të rinjve, që do të zhvillohet në mars të këtij viti në Durrës, po shqyrton edhe mundësinë e zhvillimit të kampionatit të të rriturve vitin e ardhshëm në Tiranë.

Erion Veliaj
Erion Veliaj

“Një kandidaturë e Shqipërisë për të qenë mikpritëse e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024, do të ishte diçka që do të mbështetet padyshim nga unë, por jam i sigurt Kryeministri, Komiteti Olimpik, Ministria e Arsimit dhe gjithë komuniteti. Unë besoj fort se shansi na është dhënë në të gjitha sportet, por kemi treguar se jemi më të mirë në disa sporte, siç ka qenë peshëngritja dhe atletika. Prandaj, dua të stimulojmë edhe aktivitetet ndërkombëtare rreth atyre sporteve, ku ne kemi treguar edhe me medalje, edhe me rezultat, se kemi më shumë prirje. Për ne do ishte privilegj i madh dhe mundësi e jashtëzakonshme që ta mirëprisnim kampionatin, siç po bëjmë edhe me të rinjtë, ashtu të bëjmë edhe me të rriturit në vitin 2024. E vlerësoj angazhimin tuaj,” u shpreh Veliaj./top chanel