Lajme

Dyshimet se lëshoi fatura fiktive dhe lidhjet me Ilir Beqajn, Ermal Mamaqi u përgjigjet akuzave nga SPAK: S’jam i përfshirë në asnjë skemë pastrimi parash!

Aktori i humorit, Ermal Mamaqi prej ditësh është bërë pjesë e kronikave të lajmeve, pasi e kanë akuzuar se ka dalë në hetimet e SPAK, si pjesë e skemës së pastrimit të parave me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke lëshuar disa fatura fiktive nga biznesi ku ai është 50% aksioner.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ermal Mamaqi ka thyer heshtjen duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në ato akuza që janë hedhur ndaj tij, duke theksuar se s’ka bërë asnjë shkelje ligjore dhe nuk është i përfshirë në asnjë skemë pastrimi parash.

Aktori u kërkon të gjitha mediave që kanë shkruar për të që t’i heqin lajmet, pasi do të përballen me pasojë ligjore. Mamaqi shprehet se i kanë shkaktuar dëme psikologjike, morale dhe ekonomike.

“Nisur nga një lajm i rremë që po qarkullon së fundmi dua të bëj një sqarim për fansat dhe dashamirësit e mi, gjithashtu kam një kërkesë të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që në mënyrë të qëllimshme ose prej mungesës së profesionalizmit, kanë kontribuar në shumëfishimin e kësaj të pavërtete.

Nuk jam i përfshirë në asnjë skemë pastrimi parash dhe nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, ndryshe nga çfarë po përflitet.

Ky informacion i rremë, i shpërndarë nga disa media dhe gazetarë të cilët kanë shkelur me të dyja këmbët etikën dhe parimet e profesionit të tyre, ka shkaktuar dëme psikologjike, morale dhe ekonomike.

Për rrjedhojë, ju bëj thirrje që të përgënjeshtroni dhe fshini të gjithë lajmet në adresën time lidhur me këtë çështje, pasi në të kundërt, ndaj çdo subjekti të përfshirë do të ketë një ndjekje ligjore ku secili do përballet me pasojat që parashikon ligji.

Ndërsa atyre që janë angazhuar në fyerje dhe shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes, dua t’ju them se nuk është kjo mënyra për t’u ndjerë më mirë, apo për të ngushëlluar veten”, shkruan aktori i humorit.

Ermal Mamaqi vijon më tej duke thënë se kush ka të vërtetën me vete nuk i trembet asgjejë, ndërsa thotë se puna që ai di të bëjë është arti, duke njoftuar edhe dy projekte të tjera filmike.

“Kush ka të vërtetën me vete nuk i trembet asgjëje. Dhe e vërteta ime është puna që bëj, sakrificat e mia, arti im.

Në fund, dua ta mbyll me një lajm të mirë për të gjithë ata që më kanë mbështetur këto ditë dhe që kanë qëndruar pranë meje. Shumë shpejt lançoj dy projekte të reja filmike, do të shihemi në trajnimet për vetëzhvillimin dhe në shumë projekte të reja të cilat do t’i zbuloj në muajt në vijim.

Këto janë punët e vetme që di të bëj dhe falë tyre gëzoj çdo gjë që kam. Shihemi së shpejti, Ermali”, mbyll reagimin e tij aktori.