Për 1 cent pagesë, kompania austriake ia dërgon faturën shqiptarit në Vjenë
“Kjo është Austria, as edhe një cent nuk ta fal“.
Një shqiptarit në Vjenë sot i ka ndodhur një rast i çuditshëm. Në zyrën postare të tij përmes një zarfi i kishte shkuar një faturë nga një kompani austriake, që merret me regjistrin dhe sistemin e kasave të bizneseve, të cilën në fakt ai ditë më parë e kishte paguar.
“Kur e pashë zarfin, mendova se ndoshta e kanë dërguar gabim. Isha i bindur se e kam paguar“, thotë shqiptari për albinfo.at.
Ai sapo kishte hapur zarfin, sytë menjëherë i kishin shkuar në një fjali kah fundi i faturës që në përkthim shqip, shkruhet: „Ju lutem, transferoni 0,01 cent brenda 7 ditësh në xhirollogarinë vijuese…“.
Për një moment ai kishte mbetur i shtangur: „Qesha me veten! M’u duk interesante. Ishte hera e parë që dëgjoja që dërgon dikush faturë për të paguar një borxh të mbetur prej 1 cent“, thotë ai.
Shqiptari, i cili është pronar i një furre në Vjenë, ka treguar se si ka ndodhur ky rast.
“Siç shihet edhe në faturë, unë kam pasur një obligim pagese të vlerës 62.16 centë, të cilën unë pa ndonjë qëllim të keq e paskam paguar 62.15 centë. Sigurt që kjo ka qenë gabim teknik. Por, kompania në fjalë na ka dërguar faturën tjetër për të cilën obligohemi të paguajmë edhe borxhin e mbetur prej 1 cent“.
Ai është i bindur se më shtrenjtë i ka kushtuar dërgesa postare, por tha se kjo trehon korrektësinë në sistemin e punës që bëhet në Austri dhe respektin që çdo obligim deri në cent-in e fundit duhet të paguhet.