Kronikë

Aksident tragjik në Itali, humb jetën 38-vjeçari shqiptar (Emri)

Një aksident tragjik në Cremona të Italisë i ka marrë jetën një 38-vjeçari shqiptar. Viktima është Erion Bali, raportojnë mediat italiane.

Aksidenti ndodhi herët në mëngjes më 2 Janar teksa 38-vjeçari po kthehej në shtëpi tek bashkëshortja dhe 3 fëmijët e tij, njëri prej të cilëve vetëm disa muajsh.

Ai humbi kontrollin mbi mjetin dhe makina përfundoi në barrierat anësore të rrugës duke u shkatërruar tërësisht. Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje mundën të bënin shumë pak për të shpëtuar shqiptarin.

U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga makina trupin e të ndjerit, për shkak se mjeti ishte shkatërruar tërësisht nga përplasja e fortë.

Erion Bali kishte hapur së fundmi një restorant në zonë dhe po kthehej prej andej pasi kishte bërë pastrimet e fundit. Ai jetonte prej më shumë se 20 vitesh në Cremone dhe ishte integruar më së miri në komunitet.

Vëllai i tij thotë se për herë të fundit kishte folur në telefon me Erionin më 1 Janar kur kishin shkëmbyer urimet për Vitin e Ri.

Mbrëmjen e së martës, familjarët, miqtë dhe të njohur u mblodhën në restorantin e 38-vjeçarit ku ndezën qirinj në kujtim të të ndjerit. Erion Bali do të përcillet për në banesën e fundit ditën e enjte në varrezat e Cremones