Vrasja Brenda Burgut Të Peqinit, Arrestohet Drejtori Dhe 12 Punonjës Të Sigurisë
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri të dënuarin Arben Lleshi dhe plagosi dy persona të tjerë, është arrestuar drejtori i burgut si edhe 12 punonjës të tjerë.
Më herët Sokol Mjacaj ka deklaruar se armën e kishte siguruar më shumë se një muaj e gjysmë më parë. Dyshohet se ai ka patur bashkëpunëtorë për të futur armën në burg sepse nuk rezulton ta kenë futur me dron.
Mjacaj thotë se Arben Lleshin e ka vrarë sepse kishte sherr me të, pasi se ka pranuar në sektor. Por prokuroria ka dyshime për vrasje te organizuar kundrejt pagesës.
Njoftimi i policisë
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, në IEVP Peqin, ku shtetasi Sokol Mjaçaj vrau me armë zjarri, shtetasin Arben Lleshi, plagosi shtetasin Indrit Shaqja (të tre këta shtetas vuanin dënimin me burgim të përjetshëm në IEVP Peqin), i cili është aktualisht në kujdesin e mjekëve, si dhe kanosi me këtë armë, punonjësit e shërbimit në këtë IEVP, ju informojmë se:
Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të shtetasit Sokol Mjaçaj, 28 vjeç.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të shtetasve:
-K. H., 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;
-Q. M., 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
-N. Gj., 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
-V. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
-A. D., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
-I. B., 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-F. M., 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-F. P., 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-G. M., 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
-K. H., 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
-E. Ç., 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
-I. D., 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vijojnë hetime intensive për të individualizuar përgjegjësinë penale të shtetasve të ndaluar, si dhe për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.