Lajme

800 milion euro fatura e krizës së energjisë, kompanitë e sektorit zhyten në humbje

Kriza energjitike mbaroi dhe çmimet janë normalizuar, por kompanitë publike të këtij tregu po vazhdojnë të vuajnë pasojat që shkaktuan çmimet e larta. Këtë vit konsumatorët u treguan të kujdesshëm në konsumin e energjisë, ndërsa Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka arritur të eksportojë dyfishin e energjisë që ka importuar në periudhën e thatësirës.  Konsumi i energjisë në Shqipëri për 9 muajt e parë të vitit ishte 5.88 terravat orë nga 6.1 terravat orë që ishte një vit më parë.

Sasia e energjisë që konsumohet në vend ndahet kështu: 4.66 terravat orë është konsumuar nga bizneset dhe familjarët dhe 1.22 terravat orë është energji që ka humbur në rrjetin e shpërndarjes. 1 në 5 kilovat  energji elektrike që hidhet në rrjet humb për shkak të gjendjes së amortizuar të tij dhe vjedhjeve

“Shqipëria nuk do të ishte futur asnjëherë në krizë nëse do të administrohej si duhej rezerva hidrike në kaskadën e Drinit. Problemi i krizës gjatë vitit të shkuar, nuk ishte se ndodhi rritja e çmimit në bursa, por sepse krijuam nevoja të mëdha për blerje sepse nuk administruam rezervën.” thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.

Nëse do të llogaritim të dhënat e periudhës janar-shtator 2023, vlera e energjisë së humbur në rrjet e llogaritur me një çmim mesatar të këtij intervali prej 109 euro për megavat orë është 132 milion euro. 35 milion euro është energji e vjedhur dhe 97 milion euro ka shkuar dëm për shkak të infrastrukturës të degraduar.
“Këtë vit transaksionet e shitblerjes së energjisë kanë qënë të ulta edhe në aspektin e vlerës, ka qënë në mesataren shumëvjecare dhe nga kjo pikëpamje ka qënë një treg më i qëndrueshëm. Nga ana tjetër dhe prodhimi vendas ka qënë i bollshëm.” thotë gazetari i ekonomisë. Klodian Tomorri./boldnews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *